Nikoll Lesi shkruan se Edi Rama është mosmirënjohës ndaj tij, pasi e ka mbrojtur kur e rrahën në ’97-n.
Lesi thotë se edhe pse e ka mbrojtur dhe e ka bërë të njohur Ramën, tani që është kryeministër, ai ua jep fondet e tenderat të tjerëve.
“Fotografi Petrit Kumi, në një intervistë të dhënë për “Panorama”, mes të tjerave tregon se si kryeministri Edi Rama i shkoi në mes të natës në shtëpi në ’97-n, kur e rrahën barbarisht.
Rama kërkonte të dokumentonte rrahjen, me anë të fotove.
Por foton e Edi Ramës te çarë e të goditur në kokë asnjë gazetë tjetër nuk guxoi apo nuk donte ta bonte, përveç gazetës “KOHA JONE”.
Bile redaksia (Ben Blushi i cili ishte kryeredaktor) bëri një sulm frontal Berishës duke mbrojtur intelektualin Edi Rama që shkruante në “KOHA JONE” kundër pushtetit të Sali Berishës.
Ndërsa sot ky Edi Rama, një mosmirënjohës i madh, kritikon gazetën e cila e rriti në sytë e publikut, e bëri të njohur dhe e mbrojti hapur kundër regjimit të Berishës së I-rë.
Sot, ky Edi Rama pikërisht ata gazetarë apo gazeta që e poshtëruan asokohe, i ka miq, u jep tenderime, u fal prona shtetrore, urdhëron t’ju jepen dhjetra milionë lekë reklama nga buxheti i shtetit, u jep para dhe leje ndërtimi.
Ky është Edi Rama”, shkruan Lesi, që ka botuar edhe një shkrim të tre ditëve më parë.
Në të Lesi ndër të tjera shkruan:
“Zoti Rama! Kujto atë natë të dhimbshme të 19 viteve më parë, kur i sapo kthyer nga Parisi, po bëje një shkrim në “Koha Jonë” dhe të goditën për mendimin, për lirinë tënde me të cilën i shkruaje idetë tuaja për një demokraci e vend të lirë dhe tani që keni gjithçka në dorë mundohu të zbatosh ato çka kishe shkruar edhe në atë janar 1997.
Ndjesë nëse botimi i sotëm të solli lëndimin për një kohë kur të dhunuan në emër të asaj çka besoje se duhej të ishte Shqipëria.
Sot fati, puna dhe Zoti ta sollën të realizosh atë çka kërkoje publikisht prej ish-presidentit të atëhershëm Sali Berisha.
Në të kundërt e meriton një “rrahje” të dytë, por kësaj radhe prej Ben Blushit, Martin Lekës dhe mua që ishim tek koka e krevatit tënd , i gjakosur, atë natë të 22 janarit 1997”.