Armando Sadiku, sulmuesi i Kombëtares shqiptare dhe i Malagas është duke kaluar një formë të mirë në Spanjë, momentalisht. Ai po mban peshën e sulmit në supet e veta dhe duket gati për të bërë një sezon të madh. Në një rrëfim të gjatë për “diariosur.es”, Sadiku ka folur për karrierën e tij, ambientimin te Malaga, golin në Europian dhe mbi disa detaje nga jeta e tij e përditshme.
Elbasani dhe fillimet e tua? “Jam rritur në Elbasan, një qytet që ndodhet 20 minuta larg Tiranës , kryeqytetit të Shqipërisë. Trajneri im i parë ishte babai, deri në moshën 16 vjeçare jam stërvitur me të, më pas nisa futbollin profesionist”.
Babai dhe familja? “Babai im nuk ishte një lojtar shumë i rëndësishëm, luajti pak kohë dhe e la, por gjithmonë dëshironte të isha futbollist dhe insistoi. Thuajsë të gjithë në ambientin familjar e pëlqejnë futbollin”.
Ekipe të shumta në karrierë? “Po, kam ndryshuar shumë skuadra. Kam bërë mirë në Zvicër veçanërisht. Luajta në Kategorinë e Parë në Shqipëri dhe Superligë dhe pata mundësinë për të shkuar në Zvicër. Më pas kalova te Zyrih, por isha i pafat me dëmtimet. Kam kaluar dëmtime të komplikuara, por falë Zotit jam mirë”.
Sezoni më i mirë? “Ka qenë te Lugano (27 gola në një sezon). Kam luajtur sezone të mira dhe te Zyrihu apo Vaduz”.
I vetmi numër “9” te Malaga? “Të dhënat e GPS tregojnë përmirësim. Në ndeshjen ndaj Hueskas, mendova se do të isha titullar por pata një problem familjar dhe nuk u stërvita për tre ditë. Kam një shifër golash në mendje”.
Goli në Europian? “Ishte një gol shumë i rëndësishëm për mua, sa herë më pyesin gazetarët për atë, unë them se është diçka që ka kaluar dhe dua të shënoj një gol më të rëndësishëm. Ishte një ëndërr e bërë realitet”.
Bare dhe ndihma e tij? “Bare më ka ndihmuar. Ai tani po gjen më shumë hapësira, luan çdo ndeshje dhe flitet mirë për të. Përballë Francës dhe Islandës luajti mirë dhe tregoi veten. Jam shumë i lumtur për të, pasi është një punëtor i madh”.
Do mbijetojë Malaga? “Jam i sigurtë që po. Nëse do të shohim poshtë jemi të vdekur”.
Më pas gazetari i ka bërë disa pyetje më personale Sadikut, të cilat është dhënë një përgjigje e shkurtër.
Idhulli? “Ibrahimoviç”.
A je besimtar? “Po, jam musliman. Në Shqipëria 60% e popullsisë është muslimane”.
Hobitë? “Tenisi dhe vallëzimi. Shoh shumë kinema dhe seriale”.
Gjuhët e huaja? “Flas, shqip, italisht, anglisht, spanjisht dhe gjermanisht”.
Tatuazhet? “Kam shumë, është e vështirë t’i numërosh ato. Kanë të bëjnë me jetën time dhe karrierën. Janë imazhe, në lidhje me dëmtimet dhe rrethana të tjera. Unë i bëjë gjithmonë në Shqipëri”.
Lojtarët më të afërt te Malaga? “ Bare, Boulahoroud dhe Keko”./ panoramsport
g.kosovari