Janë shtuar zërat kundër shpalljes së austriakut Peter Handke si fitues i çmimit Nobel për letërsi për vitin 2019. Reagime të ashpra kanë ardhur jo vetëm nga eksponentë të politikës por edhe nga personalitete të ndryshëm të letrave.
Shkrimtari Salman Rushdie, autor i Vargjeve Satanike, tha se e kishte denoncuar Handken që në vitin 1999 për qëndrimet e tij ndaj fushatave të Millosheviçit. Në vazhdim të reagimit të Vlora Çitaku-t, ai tha se “Unë kam shkruar për idiotësirat e Handkes para 20 vjetësh dhe jam dakord me përfaqësuesen e Kosovës në OKB”.
Një nga gazetarët dhe shkrimtarët më të njohur boshnjakë, Zlatko Dizdarevic i tha Zërit të Ameriksë, se nuk habitet.
“Çmimi Nobel për letërsinë ka kohë që nuk është provë në vetvete e një cilësie të lartë apo madhështisë së punës së dikujt. Dhe meqë ra fjala, tetë vetë në historinë e Çmimit Nobel, e kanë fituar atë për çështjen palestinezo-izraelite dhe sot jemi më larg një zgjidhjeje se kurrë”, tha ai.
Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, tha se vendimi për t’i dhënë çmimin një mohuesi të gjenocidit dhe justifikuesi të Millosheviçit është një shuplakë për të gjitha viktimat e luftrave në Kosovë dhe Bosnje.
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në një letër drejtuar Akademisë së Çmimit Nobel, shprehu indinjatën e saj, duke e quajtur Handken një eksponent të shquar të ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviçit dhe luftërave të tij në Ballkan.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar se Handke vendosi t’i mbrojë e përkrah përgjegjësit e gjenocidit në Kosovë dhe se ky vendim sjell dhimbje të thellë për shumë viktima.
“Çmimi për Handken është fyerje për viktimat e shovinizmit serb”, thuhet në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje duke shtuar se “për kujtesën e viktimave të dhunës serbe në Kosovë, ky çmim i dhënë nga Akademia Suedeze është fyerje e rëndë për viktimat”.
Ministrja e Arsimit Besa Shahini është shprehur se ‘si viktimë e agresionit të Millosheviçit në Ballkan dhe si mbështetëse e paqes në botë, jam e tmerruar nga ky vendim’ kurse Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli e ka quajtur turp ndarjen e çmimit Nobel për Handkes ndërsa shkruan se ‘ky është një veprim i turpshëm që shkon kundër vlerave të çmimit Nobel’.
Më parë, edhe Kryeministri Edi Rama kishte reaguar pas vendimit për Nobel-in në Letërsi, duke e quajtur këtë një veprim të turpshëm që shkakton të vjella. “Paturpësia po bëhet pjesë normale e botës që jetojmë”, – shkruante Rama në Twitter.
Shkrimtari austriak të cilit iu akordua çmimi Nobel në Letërsi për vitin 2019, Peter Handke, njihet si një simpatizant i Sllobodan Millosheviçit, i dënuar për krime lufte, një emër që ka sjellë kaq shumë vdekje dhe hidhërim në Rajonin e Ballkanit dhe për shqiptarët e Kosovës.
Akademia Suedeze e vlerësoi Handke për “zgjuarsi gjuhësore në eksplorimin e përvojave njerëzore. /l.m