Presidenti serb Aleksandër Vuçiç mori mesazhe shumë të rënda dje nga i dërguari i SHBA-ve, për bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenel.
Kështu konfirmojnë burime jozyrtare për median serbe “Blic”, të cilat theksojnë gjithashtu se pas takimit, Vuçiç nuk donte të bënte deklarata për shtyp.
Grenell vizitoi Beogradin dje, disa ditë pasi mori përsipër detyrën si i dërguar Special i SHBA për Kosovën. Grenell është një njeriu që gëzon besimin më të madh të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Siç mëson “Blic”, mesazhet që Vuçiç mori nga Grenel mbajnë peshë të madhe për Serbinë.
Takimi, i cili diskutoi zgjidhjen e çështjes së Kosovës, zgjati më shumë se një orë.
Takimi nuk ka qenë i lehtë dhe këtë e ka konfirmuar edhe këshilltarja e presidentit serb, Suzana Vasiljeviç, e cila ka thënë se takimi midis Aleksandar Vuçiç dhe të dërguarit special të SHBA-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell ishte shumë i vështirë, por nuk mund të jepte shumë detaje.
Ajo i ka thënë “TV Prva” se Vuçiç dhe Grenell biseduan për dhjetë minutat e para, “sy më sy” dhe më pas atyre iu bashkua drejtori i të ashtuquajturës Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq.
Vasiljeviç gjithashtu ka thënë se shpesh ndodh që takimet të jenë të vështira kur bëhet fjalë për Kosovën, por siç shtoi ajo, përcjell Telegrafi, nuk kanë qenë asnjëherë në atë masë që presidenti të mos dëshirojë të flasë as me bashkëpunëtorët e tij dhe të kërkojë kohë për të menduar se si të komunikojë atë se çfarë mund të jetë një zgjidhje për atë që mund të ketë dëgjuar nga Grenell.
Grenell, i cili është edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
g.kosovari