Vlerësimi me çmimin “Nobel” i shkrimtarit që ka mbështetur Sllobodan Milloshevic dhe madje e ka adhuruar ka irrituar shqiptarët si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë dhe ka sjellë edhe reagime të shumta në të dy anët e kufirit.
Por austriaku Peter Handke, ka provokuar sërish në reagimin e tij të parë dhe i ka thënë mediave në Beograd se i vjen mirë që serbët janë të lumtur për të.
“Jam shumë i befasuar dhe shumë i lodhur, do të flasim më gjatë nesër. Dua të përshëndes të gjithë njerëzit në Beograd dhe Serbi, e ndiej gëzimin tuaj për njohjen e madhe që mora, faleminderit për atë dhe në emrin tim sonte do të pimë raki dhe verë të bardhë ”, tha ai për Programin e Dytë të Radio Beogradit.
Lajmi se Peter Handke fitoi Nobelin e sivjetëm për Letërsi, ka ngjallur reagime të shumta pasi ai njihet si mbështetës i “Kasapit të Ballkanit” Sllobodan Milloshevicit.
Në mesin e tyre që kanë reaguar është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Shoqata e Shkrimtarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë të tjerë.
Handke është një shkrimtar i urryer për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, pasi njihet për deklaratat dhe qëndrimet e tij antishqiptare, por edhe si adhurues i liderit serb, Sllobodan Millosheviç. Madje, me deklaratat e tij antishqiptare dhe adhurimin që i bënte Millosheviçit, ai krijoi mjaft antipati edhe në Gjermani. Një gjë të tillë e thotë edhe media ndërkombëtare gjermane “Deutche Welle”.
“Me teatrin e tij politik “Sharjet e publikut“ (Publikumsbeschimpfung) 1966 dhe tregimin „Letra e shkurtër për ndarjen e gjatë“ (Der kurze Brief zum langen Abschied) 1972, një dramë për marrëdhëniet subtile burrë grua, ai arriti publik të gjerë. Pjesëmarrja e Handkes dhe fjalimi i tij në varrimin e Slobodan Millosheviçit, i kushtoi atij shumë antipati si shkrimtar në Gjermani”, shkruante “DW”.
Një ndër deklaratat e tij tepër të forta dhe që bëri, që populli shqiptaro-kosovar ta urrente, ishte edhe kjo: “Populli serb në Kosovë është popull tragjik, po ashtu humbës. Unë mbaj anën e humbësit”.
Në vitin 2006, Peter Handke mori pjesë në funeralin e Millosheviçit, një figurë që ai e simpatizonte, pavarësisht akuzave që kishte për gjenocid dhe krime lufte.
Pasi Peter Handke përshkroi bombardimin e Serbisë nga NATO si krim lufte, ai ishte sulmuar nga politikanët dhe mediat, një periudhë që ai e përshkroi në librin e tij “Udhëtimi nga Dugout, ose shfaqja për filmin e luftës”.
Në vitin 2006, pas kritikave për pjesëmarrjen në funeralin e Slobodan Millosheviçit, nominimi i Peter Handkes për çmimin “Heinrich Heine”, prej 50 mijë eurove, ishte anuluar nga këshilli i qytetit të Dyseldorfit. /l.m