Krimi Ekonomik ka nisur procedim penal për tri inspektorë të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Durrës, pasi akuzohen për shpërdorim detyre.
Bëhet fjalë për shtetasit me iniciale S. M., 43 vjeç, B. M., 37 vjeç dhe D. M., 35 vjeç, banues në Durrës.
“Nga verifikimet e kryera nga ana e specialistëve të krimit ekonomik ka rezultuar se shtetasit e mësipërm, megjithëse kanë kryer dhe kanë mbajtur procesverbalet e konstatimit dhe të prishjes së objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në zonën e Manzës, Durrës, nuk kanë marrë masa për prishjen e tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Gj. Z., 63 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pasi dyshohet se ka ndërtuar një objekt pa leje në vlerën 70 000 €, me para të ardhura nga veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme. /l.m