Nga Monika Stafa
Olga Tokarczuk, një autore polake dhe Peter Handke, një shkrimtar austriak, ishin fituesit e cmimit Nobel në Letërsi. P. Handke fitoi çmimin e këtij viti, ndërsa O.Tokarczuk fitoi çmimin e vitit 2018, i cili ashtu si dhe kemi shkruar më parë, u shty për për shkak të një skandali që përfshiu Akademinë.
Ku qëndron rëndësia e romanit të Tokarczuk?
Olga Tokarczuk u bë e njohur për romanin e saj historik në vitin 2014 “Księgi Jakubowe” ose “Libri i Jakobit”, me subjekt nga Perandoritë Habsburge dhe Osmane. Në qendër të veprës është jeta e një udhëheqësi polak, Jacob Frank, në shek. e 18-të, brenda një grupi hebre që iu desh të konvertohej në fenë islame dhe më pas në katolicizëm. “Në këtë vepër autorja ka treguar kapacitetin suprem të të shkruarit një roman i cili duhet të shfaqte një cështje thuajse tej aftësisë njerëzore të të nxënit,” shpjeguan zyrtarët e Nobel-it në fjalën e tyre. Në vitin 2018, ajo fitoi një famë të madhe në letërsi pasi mori “The Man Booker International Prize” për romanin artistik të përkthyer “Flights”, një roman eksperimental bazuar në historitë e udhëtimit.
Ndërsa për autorin tjetër, P. Handke ishte performanca e tij e parë me romanin “Die Hornissen” në vitin 1966, dhe bashkë me të edhe drama me titullin “Publikumsbeschimpfung”, ose “Zemërimi i audiencës”, ato që lanë shenjën e tyre në botën e letërsisë.
Që nga ajo kohë e në dekadat e mëpasme, Handke është bërë një nga shkrimtarët më me ndikim në Evropë. Akademia Suedeze përmendi disa cilësi që mbart vepra e tij ndër të tjera edhe “zotësia gjuhësore e cila ka mundur të eksplorojë periferinë dhe specifikat e përvojës njerëzore”.
Cilët janë fituesit? Nga vijnë ata?
Handke lindi në vitin 1942, në jug të Austrisë nga një baba gjerman dhe një nënë sllovene. Ai kaloi një pjesë të fëmijërisë, në një Berlin të dëshpëruar nga lufta ndërsa vazhdoi të studiojë drejtësi në Universitetin e Graz-it. Por kur ai botoi librin e tij të parë, e braktisi shkollën ndërsa nisi plot zell karrierën e tij letrare. Më shumë se 50 vjet më vonë, në përvojën e krijmtarisë së tij përfshihen romane, ese, skenarë filmash dhe vepra të tjera dramatike. Ai është vendosur në Chaville, në Francë që nga viti 1990.
Të shkruarit e tij në dekada, botuar fillimisht në gjermanisht, përfshirë këtu dhe romanin “Një brengë përtej ëndrrave”, frymëzuar prej dhimbjes nga vdekja e nënës, tërhoqi vëmendjen e kritikës. Ajo e cmoi si një “një memuar madhështor për një mori jetësh të varrosura gjermane dhe austriake” dhe si një vepër e shkruar me një “stil nga më të mirët të shkruar deri tani.” Por miqësia e tij kontroversiale me Slobodan Millosheviç, ish- liderin e Jugosllavisë, një personazh i akuzuar për krime lufte gjatë viteve 1990, nuk ka kaluar pa lënë gjurmë në Evropë. P. Handke, mori pjesë në gjyqin e Hagës ku Milloshevic akuzohej për krime lufte. Ai madje nuk nguroi të mbajë dhe një fjalim në funeralin e ‘kasapit’ të Ballkanit. Në një intervistë në vitin 2006, ai tha për Millosheviç-in: “Unë mendoj se ai ishte një njeri me një fat mjaft tragjik. Sigurisht jo një hero, por një njeri me një jetë tejet tragjike. Unë jam një shkrimtar, dhe jo një gjykatës.”
Në të njëjtën intervistë, ai u shpreh se nuk e priste çmimin Nobel, për shkak të polemikave që shkakton pikërisht kjo miqësi e tij me Milloshevicin. “Kur isha më i ri kujdesesha vërtet për të,” shtoi ai. “Ndërsa tani mendoja se kish mbaruar për mua gjithcka pas frazave të mia për Jugosllavinë.”
Akademia Suedeze e pyetur për këtë qasje kontroversiale të shkrimtarit dhe përse kjo gjë nuk ndikoi në marrjen e këtij trofeu, tha se asnjë prej anëtarëve të saj nuk do të dëshironin të komentonin pikëpamjet politike të fituesit, dhe aq më tepër nëse do të ishte ai personi i duhur që ka rrëmbyer çmimin. Handke e fitoi dhe kjo mjafton.
Tokarczuk lindi në 1962 në Sulechow, në Poloni, është e bija e dy mësuesve. Babai i saj ishte bibliotekar i shkollës dhe ishte pikërisht kjo bibliotekë në të cilën O. Tokarczuk, njohu dashurinë për letërsinë, duke përpirë një e nga një librat që regjistroheshin aty. Ajo studioi psikologji në Universitetin e Varshavës dhe botoi librin e saj të parë në vitin 1993, “The Journey of the Book-People”, një histori personazhesh në kërkim të një libri misterioz në Pirenej, në Francën dhe Spanjën e shek. të 17-të. Librit iu dha cmimi Polish Publisher’s Prize, si romani më me ndikim atë vit.
Por suksesi i saj i vërtetë konsiderohet romani i saj i tretë, “Prawiek i inne czasy” ose “Primeval and Other Times”. Vepra e botuar për herë të parë në vitin 1996, tregon historinë e tre brezave të një familjeje polake, nga 1914 deri në fillimet e vitit 1980.
Tokarczuk është një figurë e spikatur në Poloni, me bindje të djathtë. Në janar, ajo shkroi një letër për The New York Times mbi gjendjen në të cilën ndodhej vendi i saj pas vrasjes së një kryebashkiaku me prirje liberale. Ndër të tjera në letër ajo shkruante, “.. shqetësohem për të ardhmen tonë të afërt”. I pyetur gjatë këtij muaji nëse e kish lexuar romanin e O. Tokarczuk, Piotr Glinski, ministri polak i kulturës, u përgjigj se ai kishte provuar, por nuk kish cuar kurrë deri në fund ndonjë nga librat e saj. Ndërsa të enjten e Nobelit, Glinski në Twitter, shkroi: “Kjo është një dëshmi që kultura polake vlerësohet në të gjithë botën”. Nuk mbeti prapa as Donald Tusk, presidenti i Këshillit Evropian dhe ish-kryeministri i Polonisë, i cili gjithashtu ofroi urimet e tij në disa rreshta duke theksuar të kundërtën e bashkëatdhetarit të tij. Tusk tha se, i kishte lexuar të gjitha librat e nobelistes nga fillimi në fund.