Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” foli për projektin e Bashkisë së Tiranës për Kopshtin Botanik.
Mazniku deklaroi se Kopshti Botanik sot është një vend i përçunduar, kurse ka shtuar se Bashkia e Tiranës kërkon ta bëjë atë vend të vizitueshëm për çdo qytetar vendas ose të huaj.
“Jemi para një shansi shumë të mirë për qytetin. Ky është një diskutim mes nesh dhe universitetit ka filluar rreth 1 vit e gjysmë më parë, si pasojë e shtimit në hapësirë të Kopshtit Botanik. Ky kopësht është degraduar ka kohë. Gjatë kësaj kohe kemi kërkuar marrëveshje me universitetin. Ne duam që Kopshti Botanik të jetë i hapur për qytetarët në atë orë që universiteti nuk është në punë, nuk funksionon.
Po, ne kemi pasur letër-këmbim me ministrinë, me universitetin më datë 2.10.2018. kryetari i bashkisë ka ftuar rektorin, dekanin. Më pas, universiteti në mënyrë të njëanshme është tërhequr më pas. Ne duam të krijojmë një marrëveshje, që t’i mundësojmë universitetit investime. I vetmi interes i Bashkisë së Tiranës ka qenë që këtij vendi, ku ndodhet Kopshti Botanik , përpos universitetit, të mund të aksesohet edhe nga qytetarët. Një pjesë e madhe e territorit të parkut nuk është i mbajtur, ka degraduar. Ai është kthyer në një vend ku rojet marrin 5 mijë lekë për çdo çift që bën foto. Ne duam të ruajmë funksionet e universitetit, por të sigurojmë edhe akses për qytetarët, që të mund të shikojnë bimët e Shqipërisë, përpos se t’i ruajmë, do ishte mirë që qytetarët t’i njohin”, tha Mazniku.
I pyetur nëse ka ndonjë mundësi që Kopshti Botanik të shndërrohet në një vend ku të ngrihen kulla betoni, siç ndodhi me stadiumin kombëtar, Mazniku deklaroi se ka zero shanse.
“Thuhet saktësisht në ligj që nuk mund të ndërrohet funksioni i Kopshtit Botanik. Ky park mos të ketë mundësinë të ndryshohet, nga asnjë administratë, do ta bëjmë me ligj. Të njëjtën gjë që kemi bërë te Liqeni, me atë park, duam ta kthejmë edhe Kopshtin Botanik. Ne si bashki s’kemi të drejta pronësie, por vetëm përdorimi, pasi universitetet janë pronë e shtetit shqiptar. Universiteti dhe Bashkia të kenë mundësi bashkë-administrimi. Gjasat për kullë janë zero”, deklaroi Mazniku. (BW)/l.m