Zbulohet shkaku i helmimit të 61 nxënësve të shkollës “Adem Haxhia” në Postribë të Shkodrës. Është vërtetuar përmes analizave, se shkak është bërë prezenca e lartë e salmonelës në ushqimin që kishin konsumuar nxënësit në një kioskë përballë shkollës së bashkuar.
Ngjarja ndodhi rreth një javë më parë ku pas pushimit të gjatë dhe ushqimit që konsumuan, nxënësit, të moshës 10-12 vjeç që janë edhe grupmosha më e prekur nga salmonela, shfaqën të vjella, temperaturë dhe marrje mendsh. Ende pa dalë analizat, prindërit bën fajtorë pikërisht ushqimin që kishin konsumuar fëmijët e tyre, pasi edhe më herët siç vetë nxënësit dhanë dëshmi, në këtë kioskë që shërbente si Fast-Food u kanë qëlluar brenda ushqimit edhe copa qelqi. Drejtoria e Shëndetit Publik mori montrat e kampionëve të ushqimit ku pas verifikimeve doli prani e lartë e salmonelës.
Ndërkohë fillimisht pati edhe dyshime se helmimi mund të kishte ardhur nga uji i pijshëm, por kjo u hodh poshtë nga banorë të zonës të cilët thanë se ndër vite nuk ka pasur asnjë problem të tillë dhe se ujit i janë bërë analizat në vazhdimësi ku ka rezultuar i pastër. Hetimet për ngjarjen nisën nga Prokuroria e Shkodrës, ndërsa policia mori në puetje edhe pronarët e Fast-Foodit ku morën ushqim nxënësit.
Salmonela, çfarë është dhe nga se shkaktohet
Çdo njeri mund të sëmuret me salmonelë duke konsumuar ushqim me salmonelë. Kjo ndodh në disa raste: Ushqimi mund të jetë kontaminuar gjatë procesit të përpunimit ose nga ushqime të përgatitura me dorë.
Mishi i viçit, i derrit, i pulës dhe vezët mund të jenë të infektuara me salmonelë. Por gjithashtu edhe perimet e freskëta (sallata, qepët, karota, spinaqi, domatet, patatet, speci etj) mund të jenë të kontaminuara me salmonelë.
g.kosovari