Ilir Meta ka komentuar zgjedhjet në Kosovë dhe pse nuk mund të kemi zgjedhje të tilla në Shqipëri, gjatë një bashkëbisedimi në Universitetin Europian të Tiranës.
Meta thotë se drama e Shqipërisë fillon në 2008-n, pas marrëveshjes së Berishës me Ramën. Meta gjithmon ka deklaruar se Berisha është pika e tij e dobët, por sot ka vendosur që ta kritikoj.
“Lidhur me Kosovën mirë shumë nuk ndihemi, pasi na duket sikur zgjedhjet në Kosovë ishin si zgjedhjet në Danimarkë në raport me disa probleme.
Jo se shqiptarët këtu nuk duan të bëjnë zgjedhje të tilla, por lidershipi politik ua ka bërë të vështirë.
Zgjedhjet në Kosovë kanë veçanti edhe sistemin elektoral. Ata kanë lista të hapura. Voton për partinë dhe për listën e kandidatëve.
Ajo që i bëri këto zgjedhje konkurruese është që LDK të vendoste si kandidate për kryeministre një figurë që herën e kaluar ishte vendosur e 87-ta në listën e partisë dhe kishte dalë e para apo e dyta në gjithë Kosovën.
Kjo i dha rritje LDK-së. Pra ka një meritë sistemi, sepse i jep mundësi qytetarit të shprehë mendimin e tij dhe i vendos partitë nën presion për të vënë në krye figura sa më përfaqësuese.
Drama jonë fillon në vitin 2008. Ne kemi pasur një Kushtetutë shumë të mirë të miratuar në 1998, për të mos përsëritur ato që kishin ndodhur.
Ajo që ndodhi në 2008 me listat e mbyllura është një problem i madh.
Nuk është se i kemi partitë demokratike dhe bëjnë përzgjedhje të emrave, dhe që atëherë edhe partitë u bënë më të mbyllura. Nuk ka më deputetë që bëjnë oponencë.
Kjo e ka goditur në thelb dhe në zemër demokracinë parlamentare. Kjo duhet parë me përgjegjësi edhe në kuadër të reformës zgjedhore.
Natyrisht, reforma zgjedhore nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në Kosovë, policia dhe prokuroria reagoi menjëherë”, tha Meta. /l.m