Ka përfunduar numërimi i të gjitha votave të rregullta në të gjitha vendvotimet në Kosovë. Kjo është bërë e ditur përmes ueb-faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Në bazë të publikimit të këtyre të dhënave Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka 202 mijë e 968 vota ose 25,49 për qind.
Më pas është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka marrë 197 mijë e 702 vota ose 24,82 për qind.
Po sipas këtyre rezultateve, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 21.24 për qind të votave, Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë dhe Partia Socialdemokrate 11.57 për qind, ndërsa Lista Serbe 6.61 për qind.
NISMA – AKR – PD, 39 mijë e 495 vota, 4,96 për qind.
Në këto rezultate nuk janë të përfshira votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta, pasi ato nuk janë numëruar ende.
Këto rezultate edhe mund të ndryshojnë nëse Paneli për Ankesa dhe Parashtresa miraton kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate për rinumërimin e të gjitha votave në nivel vendi.
Misioni i Bashkimit Evropian, i cili i ka monitoruar zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, ka vlerësuar të martën se ato kanë qenë “të organizuara mirë dhe transparente”.
g.kosovari