Deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushtati i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 foli për procesin e hapjes së negociatave Shqipëri-BE, ndërsa u pyet edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Ai u shpreh besimplotë se Këshilli i Europës në 18 tetor do të votojë pro hapjes së negociatave, pavarësisht se brenda BE ka sot vende që janë skeptike ndaj anëtarësimeve të reja.
“Politikisht dyert e Europës janë të hapura. Palët skeptike janë pak, një apo dy shtete. Shpresoj që përgjigja e Francës dhe Macron do të jetë pozitive. Klima duket pozitive. Është Franca ajo që është kryesore dhe ajo kam përshtypjen që do ndikonte edhe në vendimin e Holandës”-tha ai.
I pyetur se si do të vijojnë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, kur tashmë Albin Kurti dhe Vetëvendosje do qeverisin Kosovën, deputeti i PS u shpreh:
“Më vjen shumë mirë që procesi i zgjedhjeve ishte i qetë. Ata kanë një sistem me disa parti, që nuk kanë një maxhorancë të qartë. Shpresoj se gjithçka të shkoj mbarë, sepse kjo i duhet më së shumti Kosovës dhe kjo është një provë e dytë që duhet kaluar. Zhvillimi i demokracisë dhe hapi institucional që duhet kryer është shumë më i rëndësishëm se programi politik i vendit. Marrëdhënia jonë me Kosovën mund të përmirësohet. Kemi sot një marrëdhënie që para dy dekadash nuk ekzistonte. Kanë qenë më shumë si marrëdhënie vëllazërore. Kjo hap horizonte të reja në ekonomi dhe shoqëri. Do të shkojmë gjithmonë drejt përmirësimit, sepse natyra e kombit tonë është drejt integrimit social si dy shtete brenda Evropës”- shtoi ai.
g.kosovari