Burgu i Peqinit dhe 313-ta në Tiranë do të jenë ambientet ku do të izolohen anëtarët dhe krerët e organizatave kriminale, të cilët edhe nga burgjet drejtojnë trafikun e drogës, prostitucionit, apo përfshihen në krime të rënda.
Në burgjet shqiptare ka nisur të aplikohet regjimi i posaçëm “41-bis”. Thelbi i regjimit “41-bis” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë.
Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre u bllokohet mundësia që të japin urdhra për vrasje dhe krime ndërkohë që janë në burg.
Limitimi i numrit të takimeve me familjarët, është një ndër rregullat strikte, ku saktësohet maksimumi 1 takim në muaj.
Kreu i përgjithshëm i burgjeve Agim Ismaili në një intervistë për ReportTv ka shpjeguar se çfarë ndodh me 41 bis, ligjin e regjimit të posaçëm të sigurisë adaptuar nga modeli italian. “Është një standard që e kanë të gjitha vendet e botës, pasi jo rrallë ndodh që të burgosurit ia dalin për të koordinuar me bandën jashtë, për të ushtruar ndikimin e tyre kriminal dhe drejtojnë organizatën, të kryejnë shantazh.
E teksa regjimi i birucës me siguri të vecantë pritet të aplikohet së shpejti, Ismaili sqaron edhe çfarë lejohet dhe kufizohet përgjatë një viti. “Ata do të kenë kufizime në orët e ajrosjes, takimet, pasi nuk mund të takojnë këdo, por të paralindurit dhe paslindurit dhe bashkëshortet dhe jo të afërmit dhe familjarë të tjerë. Takimet do të jenë rralluara, një në muaj, do të kenë nga një telefonatë të limituar në 10 minuta në muaj. Telefonatat do të regjistrohen dhe do të analizohen të dhënat, po ashtu edhe korespodenca që do të jetë e monitorueshme“.
E teksa 41 bis ende ska çuar askënd në qelinë e izolimit, Ismaili thotë se prej 1998 deri në 2019 ka një ligj që izolon ata që shkelin rregullat në burgje, por prej 20 vitesh askush se kish zbatuar.
g.kosovari