Nuk ka më dyshime, në Itali janë të bindur: Stefano Pioli do të pasojë në stol Marco Giampaolon. Ai pritet të firmosë ditën e sotme kontratën, ndërsa nesër do të kryejë stërvitje me skuadrën. Pioli ka pranuar ftesën e Maldinit dhe Bobanit, pasi e njeh mirë Seria A dhe është i lirë në treg.
KONTRATA – Mediet italiane kanë zbuluar dhe detajet e marrëveshjes mes klubit italian dhe teknikut 53-vjeçar. Trajneri i ri do të nënshkruajë një kontratë për dy vite dhe do të përfitojë një rrogë prej 1.5 milion eurosh në sezon. Një shifër jo shumë e majme për Milanin, por duke parë krizën e klubit është krejtësisht e pranueshme.
Moduli i preferuar i lojës së Piolit është 4-3-3. Ai bën një futboll agresiv dhe me sulmin e Milanit mund të bëjë mirë duke parë dhe elementet që ka në dispozicion. Qëllimi i tij kryesor është të rilindë Piatek që ka shënuar vetëm dy gola me penallti këtë sezon.
Megjithatë nuk duket se ka marrë miratimin e tifozëve të Milanit. Në rrjetet sociale, hashtagu “#PioliOut” është kthyer në një “hit” të madh, duke treguar qasjen e mbështetësve të kuqezinjve në vetëm disa orë.
Nga këtu del pakënaqësia për një profil, që nuk e “gudulis” imagjinatën e popullit milanez. Ndoshta Luciano Spalletti do të ishte pranuar me dëshirë, por Inter nuk e liroi. Duke marrë parasysh kërkesën e trajnerit për pagën, duket se marrëveshja me Milanin nuk ishte problem, por zikaltrit deshën dëmshpërblim, meqë trajneri është ende nën kontratë me ta.
Prandaj, Pioli do të ketë një detyrë të vështirë për ta nisur eksperiencën në “San Siro”: të bindë tifozët kuqezinj se vendimi i klubit për t’i bestuar atij nuk është aq i gabuar. Si gjithmonë në këto raste, fusha e blertë do ta thotë fjalën e fundit të vlerësimit…
g.kosovari