Një provë të revolucionit teknologjik në zyrat e shtetit.
Kështu e cilëson Kryeministri Rama, sallën e komandimit në Drejtorinë e Policisë Tiranë, teksa publikon një intervistë me Zëvendësministren e Brendshme, Romina Kuko, nga ambientet e kësaj salle, në ERTV.
Nga kjo sallë, koordinohen në kohë reale komisariatet me patrullat, njësinë speciale, kamerat policore trupore, për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë.
Përmes numrit unik 112, në sallën e komandimit regjistrohet një mesatare prej 1400 telefonatash në ditë nga qytetarët e Tiranës, si dhe përcillen gjithashtu 120 njoftime në ditë nga aplikacioni komisariati dixhital që përfshin të gjithë Shqipërinë.
Në lidhje me kamerat e trupit, vetëm në Tiranë janë shpërndarë 580 kamera, që punonjësit e policisë i mbajnë me vetë gjatë 8 orëve dhe çdo veprim policor filmohet nga këto kamera.
Sipas Kukos, kjo sallë moderne ka rritur shpejtësinë e reagimit ndaj shqetësimeve të qytetarëve, por edhe efiçencën e policisë së shtetit.
“Kjo është salla e komandimit e cila përmbledh të gjitha shërbimet në raportim të qytetarëve. Ka 18 poste dhe këtu përmblidhen shërbimet e 112, numri unik ku qytetarët telefonojnë jo vetëm për policinë, por edhe për shumë shërbime të tjera të cilat shpërndahen, për zjarrfikësen, për shërbimet sociale. Më pas do të shikoni postet e komisariatit dixhital. Të gjitha koordinohen në kohë reale dhe përmes një procesi tërësisht elektronik, i cili quhet TIMS (Total Information Management System). Pra çdo telefonatë që vjen në 112, çdo informacion që vjen tek komisariati dixhital, kamerat e trupit dhe çdo element tjetër që vjen në polici regjistrohet në atë sistem dhe merr një numër unik, pra është një integrim i plotë i shërbimeve që policia ofron”, tha Kuko.
Zëvendësministrja shpejgoi edhe se si procedohet pas telefonatave të qytetarëve në numrin 112.
“Telefonata vjen së pari tek operatori i 112, i cili shpërndan telefonatën tek operatori i policisë vendore të Drejtorisë Tiranë dhe drejtoria verifikon rastin nëpërmjet kamerave të trupit ose komunikon me oficerin e policisë që është në atë zonë. Në momentin që këta sinjalizohen, ne kemi 78 kamera në kryqëzimet e Tiranës. Që do të thotë që e gjithë Tirana është në monitorim”, shtoi ajo.
Ajo që mund të themi – shtoi zëvendësministrja – është që në këtë sistem ka një risk shumë më të ulët për të qënë telefonatë e rreme, sepse regjistrohet me numër, telefonata regjistrohet fizikisht dhe mbetet në sistem.
“Përgjigjia e policisë është e detyrueshme. Nëse vite përpara kemi pasur një mesatare prej 50% të rasteve reagohej, ku për 50% tjetër nuk ndërmerrej ndonjë veprim, tani policia është e detyruar të veprojë për çdo telefonatë që merr, pra kemi rritje të shërbimit ndaj qytetarëve dhe ndaj shqetësimeve të tyre. Kuptohet, teknologjia e ka bërë të mundur këtë gjë, edhe sepse kemi sistemet e monitorimit ku as qytetarët e as policia nuk mund të krijojnë asnjë lloj hendeku apo mungesë shërbimi”, deklaroi zyrtarja e Ministrisë së Brendshme.
/a.r