Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj deklaroi se është në një përpjekje intensive me vendet anëtare të BE për të siguruar mbështetjen për hapjen e negociatave me 18 tetor.
Në një konferencë për mediat me homologun austriak, Cakaj kur u pyet nëse i druhet një vote kundër nga Holanda, deklaroi nuk i druhet votave kundër, ndërsa po punon për të mbledhur ato pro.
“Para se ti druhem votës kundër nga çdo shtet anëtar, dua të them se jemi në një përpjekje intensive për të sigururuar votat pro. Nuk kam frikë nga votat kundër, por jam i angazhuar maksimalisht për të siguruar votat pro”, u shpreh Cakaj.
Për të Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara. “Diskutuam për mbështetjen që Austria do i japë Shqipërisë për negociatat, por edhe për të përballuar presionin dhe sfidat që vijnë nga ky proces. Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave. Vettingu vijon me sukses, por edhe ngritja e trupave të reja të gjyqësorit, por edhe përmirësimi i historikut kundër krimit, prandaj meritojmë hapjen e negociatave”, tha ai.
Deklaratat e Cakajt erdhën gjatë takimit në Tiranë me ministrin e Jashtëm të Austrisë.
/a.r