Nga Ylli Pata
Nuk kanë kaluar as 24 orë nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të Kosovës, dhe të ashtuquajturit guru mediatikë po thërrasin apo ulërasin në boshllëk vetëm e vetëm për të ulur jehonën e katastrofës elektorale e politike të Ramush Haradinajt.
Një nga këto guru “tërmet-thirrës” është Berat Buzhala, një kundërshtar tipik i Albin Kurtit, i cili në mediat e tij, pranë pushtetit prej disa vitesh, e ka sulmuar keqas Vetëvendosjen.
Në fakt nuk është ndonjë mëkat të kritikosh, qoftë edhe të sulmosh një grupim politik, bazuar në aksionet e tij.
Duke pasur parasysh që Albin Kurti ka qenë madje edhe i dhunshëm ndaj Parlamentit, dhe jo vetëm, nuk është se nuk mund të parashikohet një kritikë nga pjesë të opinionit publik.
Buzhala, i cili ka qenë deputet i PDK-së, e më pas kur nuk u përfshi në këtë forcë politike përkrahu Ramush Haradinajn publikisht në Kosovë dhe Ilir Metën e Sali Berishën në Tiranë, sot ka dalë me një tezë që nëse Albin Kurti nuk bëhet kryeministër, do të ketë luftë.
Dhe baza e qëndrimit publik të Buzhalës është se Vetëvendosje është ekip fitues, ndaj askush nuk mund t’i heqë fitoren atij.
Një qëndrim dukshëm i panevojshëm, sidomos pas disa qëndrimeve nga PDK si parti e tretë, që do të qëndrojë në opozitë, si edhe këmbënguljes së Albin Kurtit se do të jetë ai kryeministër i Kosovës, sidoqë të shkojnë punët. Që do të thotë se kreu i Vetëvendosjes do të tentojë të gjitha lëvizjet politike për të formuar qeverinë, natyrisht duke shpallur prioritetin e tij për një aleancë me LDK-në, si ish-partnerë në opozitë.
Realisht Vetëvendosje krahasuar me zgjedhjet e dy viteve më parë, ka arritur të njëjtin rezultat, përkatësisht 31 ulëse në Kuvend.
E reja e këtyre zgjedhjeve është pikërisht rritja e LDK-së dhe përçarja e partive që dolën nga UÇK-ja, që 2 vjet më parë ishin në koalicion parazgjedhor, përkatësisht PDK-AAK dhe Nisma.
Një eksperiment që dukshëm doli se ishte thjesht një lëvizje për të ushqyer egon e Ramush Haradinajt për postin e kryeministrit.
Koalicioni PAN mori 2 vjet më parë 39 vende në Kuvend, ndërsa sot PDK pritet të marrë 21-23 vende dhe AAK 10-11 vende, kurse Nisma duket se nuk ka arritur numrin e duhur për të hyrë në Parlament.
Por duket se thirrjet për të ashtuquajturën “tradhti të elektoratit”, janë një mesazh i koduar, i ngjashëm me atë të vititi 2015, kur i bëhej thirrje Ali Ahmetit që të bëjë koalicion me Nikolla Gruevskin, si lëvizje e frymëzuar dukshëm nga aleatët e tij në Tiranë, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Pamfleti i firmosur nga Berat Buzhala, edhe pse u duk i pafajshëm, ngjalli gjak në marsin e vitit 2016, kur Zijadin Sela dhe Zoran Zaev u masakruan në sallën e Parlamentit nga bashibozukët e Gruevskit.
Pas kësaj dhune, Buzhala nuk shkroi edhe një rresht për mea culpa, siç ndodhi me Çim Pekën për paralajmërimin famëkeq të tërmetit të 23:30-s.
Thirrjet kësaj here nuk duket se drejtohen ndaj Albin Kurtit, por ndaj LDK-së, si një mesazh rikoshet për një koalicion me AAK-në dhe listën Serbe, si një lëvizje e dëshpëruar, që duket se nuk ka asnjë gjasë të ndodhë.
PDK përfundimisht është në opozitë dhe sipas gjasave nuk ka asnjë mundësi të kthehet prapsht. I vetmi që nuk e pa shpallur vetën në opozitë nga humbësit është vetëm Haradinaj…
TemA