Të shumta janë rastet që mediat britanike raportojnë për shqiptarët, të cilët shkojnë në ishull me kamion, por përfundojnë pas qelive të burgut.
Fati i njëjtë ka ndjekur edhe Ibrahim Berdellimën, i cili u dënua me 22 muaj burg për kultivim droge. Ai u kap në banesën ku jetonte gjatë një mandati kontrolli të ushtruar nga autoritetet më 11 Shtator të këtij viti.
Aty u gjetën 382 rrënjë kanabis, të cilat ishin ndarë në 5 dhoma të ndryshme. Berdellima nuk komentoi asnjë nga akuzat e prokurorisë, por mësohet se pranoi fajësinë gjatë seancës dëgjimore që u zhvillua disa ditë më parë.
Avokatja mbrojtëse e shqiptarit, Vanessa Saxton, tha se Berdellima kishte arritur në Britaninë e Madhe më shumë se katër vjet më parë i fshehur në pjesën mbrapa të një kamioni.
“Kur arriti në Britani filloi të punonte në industrinë e ndërtimit në Londër, pasi kishte punuar në të njëjtën fushe edhe në Shqipëri.
Ka katër vëllezër që jetojnë në atdhe, ndërsa e ëma është e sëmurë. Për shkak të krizës ekonomike dhe operacionit të shtrenjtë që duhet të paguante për të ëmën, pa si mundësi të vetme të vinte në Britani”, tha ajo.
Sipas avokates, disa persona që nuk e treguan identitetin e çuan në një fabrikë kanabisi dhe i premtuan një rrogë 1000 Paund në muaj.
“Personat që e futën në këtë lloj pune shkonin tek ai çdo tre-katër javë. Në fakt ata e paguan vetëm 200 Paund, para që shërbyen për ushqimin”, tha avokatja.
Ndërkohë gjykatësi i çështjes e dënoi Berdellimën me 22 muaj burg dhe urdhëroi që të shkatërrohej e gjithë sasia e kanabisit që u sekuestrua në banesë.
“Ishte operacion i sofistikuar për rritjen e kanabisit”, tha ai.