Amerika është nënshtruar ndaj presionit turk, duke hequr dorë nga aleanca e vet me forcat kurde dhe duke i lënë rrugë të lirë operacioneve kundër tyre në Siri.
Shtëpia e Bardhë tha se e mbështet nismën e Ankarasë për të krijuar një zonë sigurie për mbi 2 milionë refugjatë sirianë në verilindje të Sirisë, zonë e cila tani mbikëqyret nga trupat kurde dhe amerikane.
Turqia, ndërkaq, është zotuar të marrë përsipër edhe luftëtarët e ISIS të zënë rob në dy vitet e fundit.
“Franca, Gjermania dhe kombet e tjera europiane kanë refuzuar të marrin përsipër luftëtarët e ISIS edhe pse shumica janë të tyret. Taksapaguesve tanë do u kushtonte shtrenjtë ky proces që mund të zgjatë me vite. Ndaj, tani që Kalifati i ISIS është mposhtur, do tërheqim prezencën tonë ushtarake nga vendi,” njoftoi presidenti Donald Trump pas një bisede telefonike me homologun Rexhep Taip Erdoan.
Në fundjavë, Erdoan paralajmëroi se operacionet nga ajri dhe toka mund të nisin së shpejti.
“Zona e sigurisë” e dakordësuar nga aleatët e NATO-s parashikohet të shtrihet në një gjatësi 30 kilometra në brendësi të Sirisë.
Tërheqja e prezencës amerikane, megjithatë shihet me shqetësim pasi mund të rritë ndikimin e Turqisë në rajon, të ringjallë celulat e mbetura të ISIS por edhe të hapë një front të ri lufte në konfliktin 8-vjeçar në Siri.
Kurdët konsiderohen organizatë terroriste nga Ankaraja zyrtare, por janë shprehur se do i kundërpërgjigjen çdo ofensive.
g.kosovari