Partizani, kampioni në fuqi i Kategorisë Superiore, nuk ka arritur t’i japë vazhdimësi fitores së rëndësishme 2-1 të marrë në derbin kundër Tiranës të dielën e kaluar pasi ka barazuar 1-1 në shtëpi kundër Teutës.
Gjithsesi, ky barazim mund të konsiderohet një rezultat pozitiv për ekipin e Lerda-s, që ka luajtur prej më shumë se 55 minutash me një lojtar më pak pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Romero në minutën e 35-të.
Teuta ka përfituar menjëherë nga superioriteti numerik dhe ka gjetur golin në minutën e 37-të të pjesës së parë me Avdylin.
Reagimi i “Të Kuqve” ka qenë pothuajse i menjëhershëm me Trashin që ka shënuar golin e barazimit me një goditje të bukur dënimi në fundin e pjesës së parë. Kjo barazi ka zgjatur deri në minutën e fundit të sfidës, me dy ekipet që kanë ndarë nga një pikë. Teuta merr kreun me 12 pikë, ndërsa Partizani mbetet në të pestin me 11.
Tirana ka shpërdoruar një rast të artë për t’u kthyer te fitorja në kampionat. Bardheblutë kanë barazuar 2-2 në transfertë kundër Flamurtarit pas një gol të pësuar në minutat e fundit.
Edon Hasani ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 4-t dhe ka kthyer në avantazh Tiranën në të 38-ën pas autogolit të Ngo në të 13-ën.
Kur mendohej se miqtë do të merrnin tri pikët dhe do të ngjiteshin në kreun e renditjes, ka ardhur goli i Hoxhaj që ka fiksuar barazimin.
Buzëqesh edhe Skënderbeu, që ka mundur 2-0 Luftëtarin në shtëpi dhe ka dalë nga zona e ftohtë e renditjes. Dy golat e korçarëve kanë ardhur në minutat e fundit të ndeshjes. Dita ka shënuar të parin me penallti në minutën e 92-të, ndërsa Muja ka dyfishuar në të 94-ën.