Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim një delegacion të kryesuar nga Kryeministri i Kantonit të Sarajevës, Edin Forto, me të cilin diskutoi rreth ndarjes së eksperiencave të suksesshme në të dyja qytetet dhe sfidat e së ardhmes.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se projektet e mëdha infrastrukturore, transporti publik apo përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve, janë disa nga fushat ku dy qytetet mund të shkëmbejnë me njëri-tjetrin. “Miku im Edin Forto dhe skuadra e tij na parashtroi disa ide ku mund të bashkëpunojmë: në çështje të menaxhimit të mbetjeve, siç kemi bërë në Tiranë me mbylljen e landfillit dhe transformatorin e energjisë, në çështje të transportit publik, edhe transformimin që po bëjmë në transportin publik elektrik. Jam i bindur që mund të bashkëpunojmë dhe mësojmë nga Sarajeva, sidomos kur vjen puna te disa kompetenca që ata i kanë tashmë, siç mund të jetë shëndeti parësor, apo kompetenca të tjera që Bashkia e Tiranës ende pret që t’i decentralizojë”, tha Veliaj.
Duke nënvizuar faktin se dy qytetet kanë shumë gjëra të përbashkëta, Veliaj u shpreh se mezi pret që ky të jetë fillimi i ri i një marrëveshje fantastike me qeverinë e kantonit të Sarajevës dhe Bashkisë së Tiranës. “Jemi shumë afër me mentalitet, me dëshirën për të dalë nga situata të vështira. Ka shumë histori që na bashkojnë, e shumë pak ato që na ndajnë. Ne duhet të gjejmë se çfarë gjërash kanë funksionuar në Tiranë ose në Sarajevë, që janë me kosto të ulët, e që janë ndoshta shumë afër mentalitetit tonë për të transformuar mënyrën sesi funksionojnë qytetet tona. Jam shumë i lumtur që ju mirëpres në Tiranë, e mezi pres që të jetë fillimi i ri i një marrëveshje fantastike me qeverinë e kantonit të Sarajevës dhe skuadrën e Bashkisë së Tiranës”, deklaroi kreu i Bashkisë, Erion Veliaj.
Kryeministri i Kantonit të Sarajevës, Edin Forto shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të intensifikohet më tej në shumë fusha të ndryshme. “Zbuluam se kemi shumë sfida të përbashkëta në transformimin e qyteteve. Të ndajmë të njëjtat probleme është një gjë, por të bëhemi miq, dhe ta bëjmë këtë gjë bashkë, është akoma dhe më mirë. Kështu që, shpresoj se ky bashkëpunim do të zgjerohet më tej, ne do të nisim fillimisht me kulturën, sportin, dhe edukimin, çka është më e lehtë për t’u bërë, por do të diskutojmë për projekte të mëdha infrastrukturore, siç janë landfillet, transporti publik, dhe çështje të tjera. Ndihemi sikur jemi në shtëpi”, deklaroi Edin Forto.
Në shenjë miqësie, Veliaj i dorëzoi Kryeministrit të Kantonit të Sarajevës, Edin Forto “Kullën e Sahatit”