Përfaqësuesja e OPDAT, Michele Lakomy, ishte e pranishme në “Ministerialin e Drejtësisë” ku foli lidhur me ngritjen e SPAK dhe formën se si do të funksionojë.
Lakomoy u shpreh se Byroja e Hetimit do të luajë të rol te ngjashëm me FBI në Shtetet e Bashkuara.
Ndër të tjera, Michele Lakomoy foli edhe për bashkëpunimin që OPDAT ka me Ministrinë e Drejtësisë në Shqipëri, duke nënvizuar se “SHBA, Ambasada amerikane në Tiranë dhe OPDAT, do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetjen e tyre të pa kursyer në ngritjen dhe funksionimin e strukturave të reja të drejtësisë. Sistemi i qëndrueshëm dhe funksional i drejtësisë, është çelësi për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve”.
Ajo shtoi se:
“Po i japim Shqipërisë një ndihmë në të gjitha komponentët. Kemi një bashkëpunim shume të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë, delegacionin e BE, EURALIUS dhe Qeverinë Shqiptare. Një nga qëllimet kryesore që ka OPDAT, është të ndihmojë Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Së bashku me delegacionin e BE, po kontribuojmë në ngritjen e SPAK-ut.
Ky institucioni i ri kushtetues është i organizuar në dy nivele: Atë të Prokurorisë të posaçme dhe atë të Byrosë së Hetimit. Byroja e Hetimit do të shërbeje në mënyrë të ngjashme si FBI në SHBA. Të gjithë hetuesit që do të shërbejnë në këtë strukturë dhe në atë të Prokurorisë, duhet të kenë integritetit të lartë profesional dhe moral. Aktualisht jemi duke mbështetur KLP-në, ngritjen e këtyre struktura dhe duke përcaktuar rregulla të qarta e objektive.
Pasi të ngrihet Byroja e Hetimit, ata do të trajnohen në Virginia të Shteteve të Bashkuara me një program 2 vjeçar, po kështu edhe prokuroret. SHBA, Ambasada Amerikane në Tiranë dhe OPDAT, do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetjen e tyre të pa kursyer në ngritjen dhe funksionimin e strukturave të reja.
Me ngritjen e këtyre strukturave do të luftohen një sërë veprash të rënda penale sikurse është korrupsioni në nivele të larta drejtuese, krimi i organizuar, trafiqet, etj. Tashmë ata që kanë qenë të paprekshëm do të përgjigjen para organeve të reja të drejtësisë sikurse është SPAK, që do krijohet së shpejti”, u shpreh Lakomoy. /l.m