Holanda beson se Bashkimi Evropian nuk duhet të hapë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kështu është shprehur Stef Blok, ministër i Jashtëm, pas mbledhjes së kabinetit qeveritar holandez.
Sipas Blok, Shqipëria nuk është ende gati për negociatat.
“Shqipëria duhet të ndërmarra hapa të tjerë në luftën kundër korrupsionin dhe të përmirësojë sundimin e ligjit”, është shprehur ministri holandez.
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Blok ka deklaruar se Qeveria ku ai bën pjesë është e interesuar për hapjen e negociatave me shtetin ballkanik.
“Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Përparimi në sundimin e ligjit duhet të vazhdojë”, është shprehur Blok.
Holanda bëhet shteti i parë i Bashkimit Evropian që konfirmon votën kundër Shqipërisë në mbledhjen e Këshillit Evropian që do të organizohet më 18 tetor, ndërkohë që Franca, gjithashtu një skeptike, nuk ka folur ende. /l.m