Netë jonormale, për shkak të drogës dhe smartphone! Gjumi i adoleshentëve ka përfunduar në vëzhgimin e psikiatërve, në një studim të zhvilluar në shkollat e mesme në Milano të Italisë, tek të rinj me moshë nga 14 deri në 18 vjeç.
Studimi u drejtua nga Claudio Mencacci, president i shoqatës italiane të neuropsicofarmacologia dhe drejtor i Departamentit të Neoroshkencave dhe Shëndetit Mendor.
Objektivi i studimit mbi adoleshentët ishte që të kuptoheshin sjelljet e tyre dhe sidomos varësitë që kishin krijuar në raport me shëndetin mendor.
“Rezultoi se të gjithë pjesëmarrësit në studim kanë smartphone dhe 56% e tyre, e përdor edhe gjatë natës, ndërsa 37% e tyre ka përdorur të paktën një herë lëndë narkotike, teksa përqindja e atyre që janë dehur së paku një herë gjatë gjashtë muajve të fundit shkon në 40%”, thotë Mencacci.
Ai shton se të gjithë të rinjtë me probleme të shëndetit mendor kishin një ritëm gjumë-zgjim të acaruar, për shkak të përdorimit të shpeshtë të smartphone, por edhe prej efekteve të lëndëve narkotike.
Edhe duhani rezulton një problem mjaft i përhapur, në masën 54%, i shoqëruar me varësinë nga rrjetet sociale në masën 19%.
/a.r