Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë ditës së premte pritet që ta lëshojë urdhrin për arrestimin e deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti e Albulena Haxhiu, pasi këta të fundit kanë refuzuar kërkesën e Prokurorisë për t’u intervistuar lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ymer Beka, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se deputetëve Albin Kurti e Albulena Haxhiu para disa ditësh u është dërguar thirrja për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria dhe u është caktuar një afat ligjor se deri kur do të mundë të paraqiten tek organi i akuzës. Ky afat, sipas tij, ka qenë 22 tetori dhe deri në këtë datë asnjëri nga deputetët nuk janë paraqitur.