Kryeministri Edi Rama i cilësoi marrëdhëniet e tij me kryetarin e kuvendit, Ilir Meta, si krejtësisht normale dhe mohoi të ketë diskutuarf me të për ndryshikme në qeveri. I ftuar në “Opinion”, përballë Blendi Fevziut, Rama komentoi për çështjen e CEZ-it, si dhe për kombëtaren e futbollit, për të cilin mori rolin e protagonistit në festimet pas kthimit nga Armenia, por edhe më parë, për ndeshjen me Serbinë në “Elbasan Arena”.
Ti ç’deshe në momentin historik të kombëtares. A ishte një grabitje e kombëtares?
Momenti historik i kombëtares është një moment historik i kombit tonë dhe padyshim i Shqipërisë ndërsa sa i përket ceremonisë, ajo ishte organizuar për të qenë ashtu edhe në rast se nuk do të kualifikoheshin, unë nuk bëra asgjë më shumë se ç’bëjnë të gjithë kryetarët e qeverive në rastet kur kombëtarja e tyre arrin këtë sukses. Unë nuk fola për opozitën, por fola për ata që e braktisën Kombëtaren pas humbjes në “Elbasan Arena” dhe lëshuan një lumë balte ndaj djemve të kombëtares.
Ç’punë keni ju të hyni mes futbollistëve?
Është një çështje qytetarie gjithë ajo që unë bëra, po qe puna për grabitje jo vetëm që nuk kam bërë asnjë grabitje, por kam qenë pranë kombëtares në të tëra ditët që ajo ka qenë në Shqipëri. Këtë e kam bërë pa gazetarë.
Ke takuar edhe kreun e federatës serbe në dhomat e zhveshjes?
Me kreun e federatës serbe jemi takuar në sallën e pritjes së personave që ishin në tribunën kryesore. Nuk ishim në dhomat e zhveshjes. Kërkoi ai një foto me mua dhe jo unë me të.
Pse dy ceremoni?
Nuk shoh asgjë të keqe. Janë dy pushtet të ndryshme dhe dy institucione të ndryshme.
Pse nuk shkuat te Presidenti?
As isha i ftuar dhe as nuk shkova.
Blushi ju ka akuzuar ashpër se keni përdorur humbjen për politikë…
Pse ju mendonit se publiku shqiptar që nuk është shquar për dhunë kësaj here nuk do provokohej. Unë nuk komentoj komentatorët. Janë komente komentatorësh. Kanë vështrimet e tyre. Nuk ka asnjë problem.
Është deputet i PS-së…
Ka deputetë që bëjnë komentatorin, ka komentatorë që bëjnë deputetin. Ne ishin në kushtet që duhet të ruheshim nga çdo provokim. Mund të kishte hapësirë për provokatorë që kërkonin të fusnin xixat në çdo moment. Mos ta bëjmë kaq engjëllore tifozerinë shqiptare, se stadiumet tona nuk janë kaq të qeta.
Pjesë e këtyre masave ishte edhe arrestimi i Ismail Morinës?
Absolutisht jo.
Pse u ndalua?
Për arsyet që ka dhënë Policia e Shtetit. Është ndaluar me armë pa leje. Ku është shkruar, në cilin ligj të kësaj republike që, kur ndihesh i kërcënuar, të mbash armë pa leje. Dhe ku është shkruar që jo vetëm duhet të shpallesh i pafajshëm se mban armë pa leje, sepse ndihesh i kërcënuar?
Zoti Braho shkoi në qeli. Si e cilësoni këtë?
Çështje tifozësh, ka shkuar dhe kanë festuar së bashku. Pyeteni atë.
Kalojmë në aferën CEZ-it. Është apo jo një aferë e madhe korruptive?
Nëse ka një aspekt të pakontestueshëm për nga standardet evropiane, për nga standardet ligjore dhe për nga vlera e shtuar për publikun është pjesa e negociatave dhe e zgjidhjes me marrëveshje të konfliktit. Domethënë që në rast se nuk do të arrihej kjo marrëveshje e një konflikti që nuk e hapëm ne, por e gjetëm në pragun e derës atëherë CEZ-i kishte të drejtën të pretendonte 802 milionë euro pa hyrë në të tjera…
Ka pasur presion…
Nuk ka pasur asnjë presion politik që ka përcaktuar zgjidhjen e këtij konflikti. Zgjidhjen e këtij konflikti e ka përcaktuar një negociatë e shkëlqyer që është bërë nga ana jonë.
A ishit peng i vetos çeke?
Ne kemi pasur një debat të ashpër me qeverinë çeke në nivelin politik. Ju e dini shumë mirë dhe shqiptarët e dinë shumë mirë që unë nuk merrem peng. Por marrëveshjen e kemi nënshkruar në momentin që kemi qenë të bindur që kemi rënë në kompromisin e duhur. Kemi shpëtuar qindra miliona euro që në Arbitrazh mund të përfundonin edhe miliarda dhe mbi të gjitha kemi çelur rrugën për rimëkëmbjen e kompanisë.
Çojeni në Prokurori…
Ne po përgatisim një dokumentacion shumë të rëndësishëm dhe e kanë marrë vesh që shumë shpejt do shkojë atje e ndaj flasin.
Ka vjedhje te çështja e DIA-s?
Unë s’jam as prokuror, as avokat. Kush e ka çuar deri në prokurori këtë çështje?
Ju e keni çuar…
Po atëherë pse më pyesni mua?!
Ka një akuzë se avokati juaj ka thënë që në këtë çështje është i përfshirë Ilir Meta…
Nxirre dëshminë e avokatit tonë se është i përfshirë edhe Ilir Meta. Më tregoni shkresën për të gjithë këtë histori…
Thotë ish-kryeministër, nuk thotë Ilir Meta…
Po ish-kryeministrin e keni ju. Unë ish-kryeministër di Saliun, jo Ilir Metën.
Zoti Braho ju ka drejtuar një letër, ku thotë se ky është një skenar kundër Ilir Metës, ku është përdorur edhe emri juaj… A keni pasur dijeni?
Sa njerëz e përmendin emrin tim, sa djem xhaxhallarësh, ndërkohë që xhaxhain tim nuk e kam njohur. Sa vajza tezesh kam unë, ndërkohë që s’kam teze. Është absurditet ky skenar nga fillimi deri në fund. Një nga këto absurditet që ju kanë vetëm ju për konsumatorë.
Si janë marrëdhëniet tuaja me zotin Meta?
Kjo pyetja më duket si ato pyetjet që bëheshin në mbledhjen e frontit. Si i ke marrëdhëniet me vajzën e filanit?
Ka pasur një deklaratë nga zoti Meta që ju dhe Basha keni bashkëpunuar për të sulmuar zotin Meta…
Po çfarë është kjo?! Pse ju intereson si janë raportet e mia…
A ka pasur një takim me zotin Basha?
Këto takimet e mia me shokun tuaj, më duket se i fantazoni ju dhe ju duken të bukura dhe thoni hajt t’i hedhim se ka edhe njerëz i hanë.
A ju ka kërkuar Meta të ndërroni…
Tani pyetja korrekte, marrëdhëniet e mia me Ilir Metën jo se kanë ndonjë problem, por më duken si ato mbledhjet e fronteve, i kemi krejt normale. Unë po ju them shumë sinqerisht, kur unë kam marrë nismën për të krijuar këtë koalicion nuk kam menduar që ne do kishim kaq pak probleme me njëritjetrin, partitë dhe individët. Kam qenë i bindur që koalicioni do funksionojë por kam qenë i bindur se do të kishim shumë më tepër debate e konflikte të natyrës politike se sa ç’kemi pasur. Kemi pasur debate shumë të rralla dhe asnjë konflikt. Zero. Ne diskutojmë rregullisht me njëri-tjetrin dhe diskutojmë hapur, por ju siguroj që në asnjë rast nuk kemi pasur distancë në gjykimin përfundimtar të gjërave pas diskutimeve dhe rrahjes së gjërave.
A ju ka kërkuar largimin e ministrit të Brendshëm?
Nuk më ka kërkuar largimin e askujt nga qeveria. Në asnjë moment nuk kemi folur për ndryshime në qeveri.
A ka pasur krizë në raportin tuaj politik?
Mua më duket më shumë krizë e mediave se sa e jona. Kemi pas shumë herë më pak debate edhe konflikt. Unë jam njeri që punoj në konflikt me bashkëpunëtorët, domethënë në tension. Kam shumë nevojë për tensionin e skuadrës. Dhe po ju them që tensionet kanë qenë minimale. Se po të kishin qenë të vërteta diçka do kishte plasur.
Keni 2 vjet dhe nuk keni çuar asnjë në prokurori për 21 janarin…
Nuk është kryeministri dhe nuk është qeveria që çon para drejtësisë.
Ka pasur një raport të OSBE-së, ku ju akuzoheni për përfitim të një tarife prej 10 apo 20 % nga lejet e ndërtimit…
Më vjen shumë keq, po nuk janë asgjë këto që thashë për ty dhe mediat në krahasim me këto që dua të them. Unë jam ai që jam, shqiptarët le të gjykojnë. Unë do rri këtu derisa shqiptarët të më thonë ik. Madje do iki më përpara se ata të lodhen, madje kjo e dyta ka më shumë mundësi të ndodhë. Kjo ishte një përmbledhje çfarë kanë thënë mediat dhe atë 200- milionëshin…
Sa është pasuria juaj?
Aq sa e kam deklaruar.
Është shtuar nga pikturat?
Kur të bëj deklaratën e vitit merreni shikojeni. Sikur 1 e dhjeta e atyre akuzave të ishin të vërteta unë s’isha këtu sot, sepse shqiptarët nuk janë budallenj.
Ka pasur një pretendim të presidentit se është përgjuar ai dhe familja e tij. Si gazetar kam informacion se është tentuar të hyhet në zyrën e presidentit…Janë bënë në lëvizje nga institucionet?
Është shumë e rëndë, por mua më duket shumë e rëndë nëse është e vërtetë, por më duket po ashtu shumë e rëndë që presidenti i Republikës flet sikur…flet dhe nuk e çon në prokurori. Unë ju siguroj, për sa më takon, që kjo nuk është e vërtetë. Por nëse ka provë ta çojë në prokurori, ta bëjë publike.
Shekulli