Janë jo të pakta rastet kur politikanët tanë marrin përsipër që të bëjnë edhe rolin e historianit apo të inxhinierit.
Me sa duket, edhe Voltana Ademi ka rënë në këtë vorbull, ku pyetjes së GSH se çfarë bëri që t’i rikthehet qetësia Shkodrës pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Voltana thotë se është historia e këtij qyteti 5 mijë vjeçar. Në këtë mënyrë, Voltana Ademi ka rrëzuar të gjithë studimet shkencore të historianëve shqiptarë dhe të huaj.
“Shkodra përgjatë historisë së saj mijëravjeçare, është njohur për shumë vlera të përcjella në shekuj. Gërmimet e fundit në kalanë “Rozafa” kanë zbuluar qytetërim mbi 5 mijë vjeçar. Me këtë dua të them se Shkodra por edhe shkodranët, kanë kaluar situata nga më të ndryshmet dhe tashmë kanë krijuar një “përvojë” në përballimin e gjithsecilës, duke dalë gjithmonë faqebardhë. Shkodra është nënë shumë e dashur, por edhe “Zonjë e randë” me hiret e saj”, thekson Ademi.
Por sipas enciklopedisë shqiptare, qytetet më të vjetra janë Buthroti (Butrinti), Apolonia, Dyrrahu (Durrësi) dhe Orikumi, të themeluar që në shek.VII-VI p.e.s. si koloni greke në vendbanime ilire. Këto qytete të vendosura në vise zotëruese si dhe pranë rrugëve kryesore të qarkullimit, kishin rol të dyfishtë strategjik dhe ekonomik. Në shek.IV-II p.e.s. u krijua një numër i madh qytetesh të mirëfillta ilire. Ndër këto qytete përmenden: Scodra (Shkodra), Lisi (Lezha), Gajtani, Bylisi, Amantia, Antipatrea (Berati) etj.
Por duket se Voltana nuk ka lexuar as faqen e Bashkisë së Shkodrës, ku shkruhet tekstualisht “Që në shek IV p.k e filloi jetën qyteti ilir, i cili njihej në histori me emrin Scodra dhe që atëherë nuk e ndërroi kurrë emrin vet”.
/tirananews.al