“Platforma e bashkëqeverisjes është sprovuar tanimë si një instrument efikas për t’i ardhur në ndihmë, për të asistuar dhe mbështetur çdo qytetar që ngec në labirintet e administratës”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në prezantimin e koordinatorëve të bashkëqeverisjes për biznesin.
“Numri mesatar i 1 mijë çështjeve që nga larg duken mikroskopike, por që përbën një hall real për atë që e ka hallin e vetë, flet për efikasitetin e jashtëzakonshëm të këtij instrumenti. Shumëkush, gabimisht mendon se platforma e bashkëqeverisjes është një institucion paralel, apo është një tregues i mosfunksionimit të shtetit, apo se është një rrugë e shkurtër për të anashkaluar faktin se administrata nuk funksionon u them se është e kundërta”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “platforma e bashkëqeverisjes është një institucion që sot ka një formë të re në kohën e re që jetojmë, por që ka qenë, është dhe do të jetë për sa kohë ekziston shteti”.
“Në çdo shtet, ekziston institucioni i marrëdhënieve me qytetarin dhe ankesat e qytetarëve. Nëse do të ishte si gabimisht cinikët e gjykojnë platformën, atëhere nuk do të kishte një nga shtetet më të strukturuara të botës, SHBA, miliona letra ankesash që qytetarët, kompanitë, komunitetet i çojnë senatit dhe Kongresit Amerikan, Shtëpisë së Bardhë dhe vetë Presidentit të SHBA-së”, tha Rama.
Asnjë shtet, sipas tij “nuk e ka arritur perfeksionimin e funksionimit që t’i bëjë të panevojshme ankesat dhe rrugën e komunikimit me një instancë më lartë”.
“Është shumë e rëndësishme dhe është patjetër shumë fisnike që të ndërhysh për të zgjidhur problemin e rillogaritjes së pensionit. Është shumë fisnike dhe e rëndësishme të ndërhysh për të zgjidhur problemi e llogaritjes së padrejtë të një fature energjie. Është shumë e rëndësishme dhe fisnike për të zgjidhur një ngërç për çështjen e një legalizimi, hipotekimi apo të një dokumenti që i duhet një individi apo familje”, shtoi Rama.
/a.r