Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë pas raportit të Komisionit të Venecias, që evidentoi se presidenti Ilir Meta ka tejkaluar kompetencat kushtetuese me anulimin e 30 qershorit, si datë të zgjedhjeve vendore.
I ftuar në emisionin ‘Repolitix’ ne Report TV , kreu i qeverisë thotë se tashëm i takon komisionit të posaçëm për të gjykuar.
“Nuk kam asnjë qëndrim për këtë sepse është një cështje që i takon komisionit të posaçëm dhe ka të gjithë kompetencën për të gjykuar mbi shkeljen e bërë dhe për të konstatuar peshën e kësaj shkelje.
Në fund nuk do të jetë një qëndrim politik, por i formësuar mbi gjykimin e atyre që e dinë këtë punë më mirë se ne të dy.
Nuk është më puna ime, qëndrimet i kam mbajtur kur ndodhi shkelja dhe për mua tani është shumë e rëndësishme që komisioni i Venecias është shprehur, sikur unë shprehja në mënyrë të përsëritur më pyesnit si do të bëhen zgjedhje me një parti dhe u thosha asnjë parti apo një grup nuk mund të marrin peng zgjedhjet.
Këtë Venecia e ka thënë e zeza mbi të bardhë dhe nuk ka asnjë diskutim se shkuarja në zgjedhje ka qenë vendim i duhur dhe se zgjedhjet janë plotësisht legjitime.
Përgjigja ime është e thjeshtë dhe e qartë, është krijuar një komision i posaçëm që ka në përbërje të tij njerëz të ligjit dhe ata do të na bëjnë ne sugjerimin e tyre si parlament dhe ne do të marrim vendimin tonë.
Unë nuk kam asnjë minutë për tu marrë me fatin e Ilir Metës, pasi mbrëmë psh jam marrë me fatin e një djali që i mungonte një krevat special për sëmundjen e tij dhe nuk kishin trokitur në derën e autoritete. Jam i lumtur që djalin e kemi sjellë në Tirane.dhe tani po kthehet në shtëpi ku do të ketë edhe krevatin e krijuar posaçërisht për këtë sëmundje.
Kjo është shumë e rëndësishme se fati i Ilir Metës. Ilir Meta nuk ka asnjë problem shëndetësor dhe uroj të mos ketë kurrë, për problemet e tjera të Ilir Metës nuk kam asnjë interes, fare.
Politika është e bukur sepse ju shërben njerëzve dhe behet e shëmtuar kur kthehet në një territor të okupuar nga njerëz që përplasen duke ja nxjerrë politiken nga hundët njerëzve. Unë, mbase me vonesë, por kam vendosur ta braktis këtë“, tha Rama. /l.m