Diplomati Fatos Tarifa, i ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2 u shpreh se Shqipëria nuk është gati për integrimin në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, “shpresat tona se në tetor do të hapet drita jeshile për nisjen e negociatave për anëtarësimin tonë me të drejta të plota në BE” janë “të pajustifikuara”.
“Nga qershori deri tani nuk ka ndryshuar asgjë. Kushtet që janë vënë nuk janë plotësuar. Është një retorikë politike që i shërben interesave të çastit të të gjitha palëve, por që do të zhgënjejë sërish shumë njerëz. Thuhet se BE-ja nuk do të ndajë Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria, por kjo është ide e gabuar sepse një ndarje e tillë ka ndodhur edhe më parë. Maqedonisë mund t’i hapet drita jeshile dhe ne të ngelemi në pritje. Sa kohë ka kushte, nuk ka hapje. Kushtet janë të vështira, Reforma Zgjedhore dhe Reforma në Drejtësi janë kushte që duan kohë dhe vullnetin e mirë”, shtoi Tarifa.
Diplomati nënvizoi se klasa jonë politike është ajo që “nuk e do integrimin në BE”.
“Paaftësia e klasës sonë politike nuk e ka bindur ende Francën, Holandën dhe Danimarkën. Pra, nuk është problem evropian, por problemi ynë”, shpjegoi Tarifa.
Në fund, Tarifa parashikoi se edhe nëse negociatat hapen, Shqipërisë do t’i duhen mbi 20 vite për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.
“Negociatat janë një proces shumë i gjatë. Kroacisë iu deshën 6 vjet. Ne nuk jemi Kroacia, por nëse negociatat hapen, përfundimi i tyre do të marrë mbi 20 vite sipas meje”, tha Tarifa. /l.m