Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali e ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” foli për raportin e Komisionit të Venecias, i cili vinte në dukje se presidenti i vendit ka shkelur Kushtetutën. Spiropali deklaroi se vetë Meta e di se e ka shkelur Kushtetutën.
“Që e shkeli, e shkeli. E di besoj dhe vetë presidenti. Shkelja siç thuhet edhe Komisionin e Venecias është bërë për arsye politike. Ishte për të ndihmuar PD dhe LSI për të shkatërruar rendin ligjor. Meta mori kompetenca që as që i kishte. Është shumë e rëndë. Që nga janari i këtij viti, PD dhe LSI kanë qenë në sulm frontal për të prishur sistemin, kanë dalë nga parlamenti, kanë bojkotuar zgjedhjet, në një përpjeke të dëshpëruar për të hedhur në erë sistemin. Presidenti i Republikës i hodhi benzinë zjarrit, duke anuluar zgjedhjet. Presidenti i Republikës e bëri këtë sigurisht me qëllim. Në këtë kontekst ne mund ta gjykojmë”, tha Spiropali.
Elisa Spiropali shtoi se do të vazhdohet procedura deri në fund për shkarkimin e Metës si president të Republikës.
“Ne prandaj e pyetëm Komisionin e Venecias, që ta dëgjojmë. Presidenti ka tejkaluar kompetencat kushtetuese. Komisioni i Venecias nuk është një organ politik. Komisioni i Venecias thotë që shkarkimi është një vendim sovran që i takon parlamentit të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese. Nuk jemi aty për të shkarkuar presidentin, por Meta ka humbur çdo besueshmëri për të qenë kreu i shtetit. Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe ka tejkaluar kompetencat e tij. Presidenti ka bërë gjë të paprecedent, ka shpikur institucion. E ka bërë në një moment kur Shqipëria ishte në një pozicion të disfavorshëm për Shqipërinë. Patjetër ne do të vazhdojmë me Komisionin Hetimor për të dërguar deri në fund këtë proces ligjor. Ne nuk po bëjmë gjyq popullor, por një proces të duhur ligjor. Ne vazhdimisht provokohemi. Deklaratat e presidentit Meta dhe zëdhënësit janë jashtë çdo lloj normaliteti”, tha ajo.