Tre persona janë arrestuar nga policia në Kavajë, pasi vodhën një sasi lekësh në një dyqan ushqimor.
Policia thotë se në pranga u vunë tre të rinj nga Durrësi.
– A. B., 18 vjeç, banues në Durrës;
– A. A., 17 vjeç, banues në Durrës;
– E. Xh., 15 vjeç, banues në Durrës.
“Këta shtetas, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, pasi kanë hapur forcërisht me anë të thyerjes derën e dyqanit ushqimor të shtetasit B. T., kanë hyrë brenda dhe kanë vjedhur një sasi lekësh. Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë në ikje e sipër tre autorët, të cilët pasi kishin kryer vjedhjen po tentonin të largoheshin nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e lekëve të vjedhura në dyqanin ushqimor të shtetasit B. T., një pistoletë zhurmuese dhe sendet e përdorura nga autorët për vjedhjen me thyerje të dyqanit.
Në vijim të veprimeve të para hetimore dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të vjedhjes së dy banesave ndodhur gjatë muajit shtator në Kavajë.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë për veprën penale “Vjedhja, e kryer në bashkëpunim”.
g.kosovari