Elisabeth Bries dhe Gaspard Henry janë dy turistë nga Belgjika, të cilët prej dy ditësh kane humbur kontaktet me familjarët e tyre.
Dy turistet kanë ardhur për të kaluar disa ditë në Alpet Shqiptare dhe e kanë nisur udhëtimin më 25 shtator në Theth. Pasi kanë qëndruar dy ditë aty, ata janë nisur drejt Valbonës, për ta bërë në këmbë shtegun e famshëm.
Ata për herë të fundit kanë folur me familjarët e tyre pikërisht më datën 27 shtator, kur edhe kanë marrë rrugën drejt Valbonës.
Familjarët kanë provuar disa herë që të kontaktojnë, por ka qenë e pamundur dhe ata janë shqetësuar duke kërkuar më shumë informacion në vendin ku kanë qëndruar në Theth, por aty i është thënë se në 27 shtator në mëngjes janë larguar drejt Valbonës në këmbë.
Tashmë familjarët kanë lajmëruar edhe autoritetet përkatëse në Belgjikë dhe Shqipëri. Shtegu Theth-Valbonë është tejet i gjatë dhe kërkon vëmendje por edhe me infrastrukturën jo të duhur.
Deri më tani ende është e paqartë nëse dy belgët kanë mbërritur apo jo në Valbonë apo se çfarë ka ndodhur me ta. Të gjithë ata që mund t’i kenë parë diku në Shqipëri kërkohet që të lajmërojnë autoritetet përkatëse për t’i ardhur në ndihmë familjarëve të tyre.