Robert De Niro pritet të luajë rolin e Sllobodan Milosheviçit në një film të ri të Hollivudit.
Filmi do të ketë si temë kryesore aktivitetin e kriminelit serb Zheljko Raznatoviç, i njohur si Arkani, dhe krimet e kryera në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.
Sipas shtypit serb, titulli i filmit do të jetë “Kërcimi i Tigrit”.
Ende nuk dihet se kush do të luajë rolin e Arkanit, por thuhet se kanë qenë të interesuar disa aktorë serbë. Rolin e bashkëshortes së Arkanit, këngëtares serbe me emër Ceca, paralajmërohet se do ta luajë aktorja e njohur e Holivudit, Eva Mendez.
Ky film do të xhirohet sipas librit “Arkan” të autorit serb Vladimir Xhorxheviç. Ai ka thënë se fokusi i filmit do të jetë i vendosur te jeta reale dhe aktivitetet kriminale.
“Në rrëfimin tonë do të fokusohemi te raporti i personazhit kryesor me presidentin e atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviç dhe me bashkëshorten e cila është këngëtare. De Niro është mjaft i interesuar për këtë projekt dhe dëshiron ta luajë rolin e Sllobodanit”, thotë Xhorxheviç.
Sipas tij, xhirimet do të fillojnë në vitin 2016 në Serbi, Suedi, SHBA dhe në Mal të Zi. Buxheti i filmit do të jetë 7.5 milionë dollarë, kurse producentët shpresojnë se do të arrijnë sukses të madh në tregun e Evropës Lindore dhe në Rusi.