Ministrja e Mbrotjes, Olta Xhçka, deklaroi sot se “Shqipëria ishte me fat që një ngjarje e atyre përmasave kaloi pa asnjë të lënduar seriozisht dhe sidomos për faktin që nuk pati asnjë jetë të humbur. Gjithçka tjetër mund të zëvendësohet apo rindërtohet, por jetët e njerëzve jo”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca dhe shefin e ekipit të BE-së për Emergjencat Civile, Peter Glerum, ministrja Xhaçka u shpreh se “prania e Glerum këtu është padyshim një tregues i seriozitetit me të cilin BE dhe posaçërisht Mekanizmi i Mbrojtjes Civile Europiane po e trajtojnë mbështetjen që po i ofrojnë vendit tonë”.
Por, vijoi ministrja, Glerum është padyshim i mirëpritur edhe për eksperiencën e ekspertizën e tij në këtë fushë nga e cila padyshim që kemi shumë për të mësuar sot kur jemi në hapat e para të transformimit të mekanizmit tonë për përballimin e emergjencave.
Ministrja falënderoi gjithashtu ambasadorin Soreca për të gjithë punën e tij, por edhe për faktin që vetëm fare pak kohë pas tërmetit të datës 21 ai jo vetëm që ofroi ndihmën e Delegacionit, por edhe që pa humbur fare kohë vuri në lëvizje delegacionin dhe Mekanizmin e Mbrojtjes Civile për të mbështetur Shqipërinë në momentin e saj të nevojës.
“Tërmeti i datës 21 ishte padyshim një ngjarje dramatike. E gjithë situata, duke marrë parasysh edhe goditjet që pasuan ngjarjen kryesore sizmike, ishte një situatë dramatike, që shkaktoi shumë frikë tek qytetarët”, tha Xhaçka.
Ministrja u shpreh se “dëmet që shkaktoi tërmeti ishin të konsiderueshme. Çdo vend, qofshin këto vendet më të zhvilluara e të pasura, qofshin këto vende me ekonomi shumë më modeste, si Shqipëria, ka vështirësi në përballimin e dëmeve që lënë pas ngjarje si këto. Të gjithë e dimë që vështirësitë e vërteta në raste fatkeqësish natyrore, fillojnë pas mbarimit të emergjencës, kur lind nevoja për të rikuperuar atë çfarë është humbur e shkatërruar”.
Ajo shprehu mirënjohjen për Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen.
“E vlerësoj akoma më shumë këtë mbështetje, për faktin që Shqipëria sot nuk është e anëtarësuar në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Europiane. E megjithatë jemi dëshmitarë të një shfaqje kaq të bukur e domethënëse solidariteti. Dua të falënderoj çdo vend që përmes këtij Mekanizmi, bujarisht ka vendosur të na mbështesë në këto momente të vështira”-, nënvizoi ministrja.
Ministrja Xhaçka tha se “ka kaluar shumë pak kohë që kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Mbrojtjen Civile Mbrojtjen Civile. Tërmeti i datës 21 shtator ishte testi i parë i këtij mekanizmi që është ende në hapat e parë dhe që kërkon ende shumë punë, koordinim, transformim institucional e përgjegjësish, përpara se të bëhet vërtet funksional. Por shte një test që gjithsesi tregoi se çfarë potenciali të jashtëzakonshëm ka ky mekanizëm i ndërtuar mbi modelet që funksionojnë sot në BE”.
Sipas saj, ishte një test që tregoi që jemi në drejtimin e duhur, për të ndërtuar një mekanizëm të mbrojtjes civile modern, efikas e funksional, dhe që mbi të gjitha, do të na lejojë të përmbushim të gjitha kriteret e standardet që nevojiten për t’u anëtarësuar ne Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Europiane.
“Në këtë mënyrë jo vetëm që do të lehtësoheshin shumë procedurat e do të reduktoheshin shumë kohët e bashkëpunimit, por edhe Shqipëria, do të jetë e aftë të ofrojë ndihmën e mbështetjen e saj kudo që të jetë në nevoja në rajon apo më tej si pjesë e një mekanizmi të kolauduar mirë”, tha ajo.
Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka tha se “shpreson që ky të jetë veç bashkëpunimi i parë në një marrëdhënie që së shpejti do të zyrtarizohet e konsolidohet me anëtarësimin e Shqipërisë në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile”.
Ndërkohë ambasadori Soreca tha se “Bashkimi Europian është me ju dhe sot jam shumë krenar që shoh BE-në duke vepruar me solidaritet dhe efikasitet në të mirë të qytetarëve të Shqipërisë”.
“Jam këtu sot, vetëm 1 javë pas tërmeteve. Ka qenë vërtetë javë e vështirë për Shqipërinë. Tërmetet e javës së shkuar e kanë shkundur tërësisht Shqipërinë, e cila më pas u përball me mot të keq me stuhi që shkaktoi përmbytje”, tha Soreca.
Ambasadori theksoi se 1500 shtëpi janë konfirmuar si të dëmtuara, përfshi 2 qendra shëndetësore.
Po ashtu, Soreca tha se “148 persona u dëmtuan por fatkeqësisht nuk pati fatalitet”.
Soreca përgëzoi autoritetet shqiptare që kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme, duke ngritur qendra strehimi.
“Përgëzoj po ashtu shtetet anëtare që kanë qenë afër Shqipërisë jo vetëm aspektin gjeografik por edhe objektivin tonë të përbashkët. Përgëzoj bujarinë dhe shpejtësinë me të cilën kanë reaguar shtetet anëtare të BE-së, që po qëndrojnë pranë Shqipërisë në këto momente”, tha ai.
Ambasadori i BE-së theksoi se një ekip plotësisht operacional me 8 ekspertë janë tashmë në Shqipëri dhe do bashkëpunojnë me autoritetet shqiptare përgjatë dy javëve. “Kemi angazhimin nga Austria, Kroacia, Greqia, Italia, Norvegjia, Mali i Zi, Franca etj. Nga BE kanë ardhur çadra emergjence, gjeneratorë të ndryshëm dhe paketa ushqimore që janë mobilizuar në zonat e prekura. Ekipi do të mbikëqyrë asistencën e BE-së dhe do të japin ekspertizën e tyre. Janë autoritetet shqiptare që po udhëheqin këtë”, tha Soreca.
Ai theksoi se “ne duhet të punojmë për aspektin afatgjatë, domosdoshmërisht për të pasur një agjenci të fortë mbrojtje civile për parandalimin dhe parapërgatitjen”.
“Ngjarjet e kësaj javëve kanë treguar edhe një mangësi ndërgjegjësimi nga ana e qytetarëve dhe medies që mund të jetë shkatërrimtare në momente të rënda”, tha ai. (BW)