Kur shokët e tij të klasës bënin provimet e maturës, Ali Çali ishte përballë hetuesve që e pyesnin kush qëndronte pas atyre të rinjve që kishin shpërndarë trakte kundër pushtetit.
Kujto.al sjell historinë e maturantit që kaloi 8 vite në burg, gjatë të cilave do të provonte punën e rëndë të kampeve dhe do të shihte me sytë e tij krimet e fshehura të policëve ndaj të burgosurve. Ishin tetë vite kur do ta vizitonte vetëm e ëma, sepse e motra e martuar me komunist dhe të afërmit e tjerë, nuk donin të rrezikonin…
Dëshmia për kujto.al:
Unë rrjedh nga një familje shtresë e mesme. Babai ka qenë tregtar. Merrej me tregti Tiranë-Itali. Ishte mik personal i Qazim Mulletit. Nëna, fshatare, vajza e hoxhës. I ati ishte hoxhë, Beqir Dushku. Ndërsa unë kam vetëm një motër. Motra, martuar me një Imet Imeri. Imet Imeri ishte komunist, zv.ministër i Bujqësisë, nga Ninati i Çamërisë. Mbaroi shkollën ajo, u martua, krijoi familjen e saj, por filloi një farë… me mua sidomos, nuk kishte raporte të mira. Unë në shkollë, isha i jashtëm, sepse kishte dhe konviktorë në shkollën teknike, edhe të jashtëm. Unë zura shoqëri me Bestar Rulin. Bestar Ruli është familje libohovite, por banonim në një lagje dhe unë e kisha shok. Në të njëjtën kohë, kisha shok edhe një tjetër, Yzedin Hysenaj, nga Lekdushi i Tepelenës, edhe ai familje shumë, shumë e pasur. Të larguar ata për të humbur gjurmët, erdhën u stabilizuan. Yzedini, djalë shumë i shkathët, vdiq në burg i shkreti, ndjesë pastë, në maturë, por ishte pak i dobët në mësime dhe unë e mbajta në patronazh, më thotë mua: -“Do shkojmë te shtëpia e Sandrës”. -“Po ç’kërkojmë? E kemi shoqe klase.” –“Jo, jo, do shkojmë”. E mirë, shkuam. Kishte sjellë një trakt. Ky trakti ishte me përmbajtje krejtësisht kundër sistemit. “Ky trakti do të shumëfishohet, për ta shpërndarë,-thotë,-do ta shpërndash ti.” “Po pse unë? thashë. – Mua më ka rënë lotaria?” “Po ti i njeh më mirë, -tha. -Këta janë të gjithë jabanxhinj. Ti i njeh rrugicat e Tiranës.” E mirë. Filloi shtypja e trakteve. E kam dhe në vendim. E specifikon.
Çfarë ndodhi më pas?
Fillova unë, në mëngjes herët ngrihesha, shkoja e fusja nëpër porta. Gjetëm një makinë Olivetti, biles ia vodhëm njërit se nuk kishte makina që shiteshin kështu, ishte një titullar, punonte aty në lagje. Duke luajtur futboll ne, ia morëm makinën këtij nëpërmjet djalit të vet, edhe filloi shtypja e trakteve. Më në fund, bëmë dy-tri mbledhje. Erdhi një person, por ky person incognito, edhe sot… le që nuk doli në hetuesi. Ai i sillte direktivat, po se nga vinte, nuk jepte të dhëna. Mbasi vazhduam këtu, vjen udhëzimi që të shkonim edhe në Kavajë, edhe në Shkodër. Përsëri po unë: në Kavajë dhe në Shkodër. Fillova atje t’i shpërndaja. Pas nja ca ditësh, më thotë një shok, djali i doktorit, Arjani: Ali, kujdes! -tha. -Po ju ruajnë.” “Pse mo’ vëlla, -i thashë, -çfarë po ruajnë? Ne jemi në maturë tani, fillojmë pushimet.” “Kaq po të them, -tha. -Kujdes se po ju ruajnë.”
Këtë e materializuam ne tani: Jemi në obsevacion, që, nga momenti në moment mund të arrestohemi. Atëherë, vendosëm për t’u arratisur. Bëjmë planin e arratisjes, edhe nisemi për Shkodër. Të gjithë të veshur me tuta sportive, gjoja po shkojmë sportista. Pa valixhe, pa gjëra, natyrisht me lekë. Gjemë mënyrën si… Do kalonim nga Zogaj. Quhej një fshat Zogaj, por në Zogaj do kaloje me lundër. Ai që na mori paratë, ai apo ndonjë tjetër… fakti është ky që sa kishim kaluar, mund të themi as gjysmë milje, na kapën, na arrestuan të gjithëve. Na mbajtën nja 24 orë në Shkodër dhe na sollën në Tiranë. 11 muaj hetuesi.
Çfarë kërkonin në hetuesi?
Çfarë kërkohej… “Kush iu subvenciononte?” Ne hiç, vetëm kur na jepnin ata të shtëpisë para. Vetëm letra do blinim, makina punonte, unë shtypja, Sandra shtypte…“Ku i kishit lënë takimet e sa u jepnin?” Sikur ne ishim ndonjë agjenturë që na subvencionin. Përfundimisht, na marrin, na nxjerrin në gjyq: agjitacion dhe propagandë, mbledhje të organizuar, shpërdarje të trakteve, tentativë arratisjeje. Unë isha nën moshën 18 vjeç, mora gjysmë dënimi. Pra, filloi 25, 20, 15, 10, 8, isha unë i fundit, 8, për arsye moshe. 16 e dha prokurori, Mulla Mullai, një qen bir qeni, një lab i ndyrë. U la, jo kundërshtoje, jo… hiç! Vendimi ishte i formës së prerë, tunjatjeta! U la, ato që ishin. Se koincidoi kjo: kur dolëm ne në burg, në atë kohë ishte prishur Maliqi dhe ishte mbushur burgu plot. Imagjino tani: masa e gazetës ishte vendi ku flinim, të betohem. Vinte ai, ta vinte gazetën në këtë pozicion kështu. 80 vetë në një dhomë. Imagjino një dhomë, 80 vetë. Nga të gjithë këta njerëz, shumë pak prej tyre mund të jenë gjallë tani. Unë kam takuar Beniamin Zaharian, Skënderin, vdiq dhe ai shkreti, Skënder Peza… Ishin të gjithë intelekutalë. Filluan të shpërndanin pastaj, nëpër kampe. Meqenëse unë përdorja makinën e shkrimit, më çuan në mesagjeri, në vitin ’52, se mbas kaq muajve hyri ’52-shi. U krijua te burgu i ri, mesagjeria e përkthimeve, ishte Aleko… Aleko Turtulli, ishte Jusuf Vrioni, ishte Arshi Pipa, ishte një, prapë shkodran edhe ai, Mihallaq Zallari, ishte ish-ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj që interesohej për qenin. Thoshte: “Të hajë qeni përpara, pastaj do hamë ne ushqimin”. Na mbajtën ca kohë aty. U shpërbë kjo se sollën atë grupin e Beqir Ndout…na i zunë dhe dhomat e përkthimeve. Na çuan, ca në artizanat, ca në kampin Numër 2. Mua më çuan në kampin 2. Ne si grup, jemi shpërndarë, nuk na lanë të gjithëve në një kamp… bëmë ato pallatet Agimi. Prej aty pastaj na çuan afër Vjosës, bëhej një kanal i madh. Imagjino ti, një kanal me dy skarpata 16 metra, 15 metra i thellë kanali. Ajo ka qenë tortura më e madhe. O normën, o shpirtin, atje ishte.
Ka pasur aksidente gjatë kohës që punonit, njerëz të dëmtuar në burg?
Ka pasur sa të duash aksidente. Në kombinatin tekstil kanë punuar të burgosur, kam punuar dhe unë ca kohë atje. E vranë njërin edhe e shtynë tabelën, e kam parë me sytë e mi, jo ma kanë treguar të tjerët, po isha vetë i burgosur, me Setki Toptanin. Unë, Setki Toptani po mbanim ca trarë. Ai I shkreti vajti për të urinuar. Këta e vranë dhe e morën tabelën nga 10 metra, e futën 10 metra më brenda dhe gjoja u kap jashtë tabelës. Një rast. Lëre raste të tjera pastaj nëpër biruca, tortura, nuk janë gjëra që përshkruhen. Biles më tregonin, se unë nuk e kam arritur, që në Burrel, ishin dy vetë në birucë dhe ishte kaq uri e madhe sa që njëri po vdiste edhe nga ky moment, shoku priti sa të vinte buka që të lajmëronte rojën. Që i mori racionin e bukës. Dhe kur u tregoj të tjerëve unë, thonë: O mo, gënjeshtra. Po jo pra, nuk janë gënjeshtra. Madje, tregojnë për Koço Seminin, Ramazan Tabaku, ata që kishin ardhur të gjithë, tregonin që polici e qëllonte, ai kishte kapur panxharin, se kampi i vdekjes ka qenë, domethënë ku të burgosurit kanë vuajtur torturat më të mëdhaja, kampi i Porto Romanos, Turanit, Maliqit, madje atje kanë vrarë njerëz në Beden të Kavajës se na tregonin ata, ne.
Ali, sa vjet burg bëtë?
8… Unë kam bërë 7 vjet, 10 muaj dhe 12 ditë.
Kur je liruar nga burgu?
Unë jam liruar nga burgu në dhjetor të ’57-ës.
Çfarë ndodhte me familjen jashtë burgut?
Unë kisha nënën. Nëna e shkretë më vinte në takim. Ndërsa motra nuk më vinte se ishte në një familje tjetër. Megjithatë, edhe motra më ka ndihmuar indirekt. Për shembull, më çonte gjëra. Ndërsa farefisi, meqenëse ishin të gjithë profesionistë, ruanin secili punën e vet. Kur e shihnin nënën, pyesnin: “Si është?”. Vetëm kaq, e pyesnin. Ose ndonjëherë, kujtoheshin për t’i dhënë ndonjë paketë cigare.
Duhet ta mbash mend momentin kur dole nga burgu…
E mbaj mend shumë mirë se atë ditë kishte ardhur për takim edhe daja nga fshati, edhe nëna. Ishte ditë takimi. Atë ditë kartelisti më thërret. U mbush. Bënim fushën e Rinasit, se ne, të burgosurit e kemi bërë fushën e aviacionit. Unë dhe, ishte një Hasan Xama, edhe ai i shkreti ka vdekur, punonim anën teknike. Kishim nivele italiane për kuotime, por punë e rëndë. Shumë, shumë, punë e rëndë.
U liruat… Ku shkuat?
Do merrja maturën. Nëpërmjet shoqërisë, u futa në provime, bashmë me studentët që kishin mbetur, u futa dhe unë. Mora maturën. Për punë, ëh-ëh, kush të afronte? Me shoqëri, me miqësi, andej-këndej, përfundimisht më çojnë në Shën-Pal, teknik në Shën-Pal. Punova nja dy vjet atje në Shën-Pal. Kthehem pastaj, vij, punoj ca kohë Tiranë, më transferojnë në Shkopet. Filloi legjenda e hidrocentraleve. Shkopeti. Kishte mbaruar Ulza, Shkopeti, pas Shkopetit në Vaun e Dejës. Në Vaun e Dejës u krijuan, kur erdhi Besnik Bekteshi, zv.Kryeministër, anëtar Byroje, ai ishte inxhinier në fakt, ai krijoi filiale.
Në çfarë viti bëhet fjalë?
‘70-ën.
Si rrodhi jeta juaj më pas?
Jeta ime ishte kjo. Unë, për veten time, iu futa punës, punoja, në hidrocentrale deri sa u shemb komunizmi. Pastaj u ktheva… Më çojnë në Akademinë e Rendit. Më thërret Agron Musaraj. Thirri shumë intelektualë atë ditë, për të punuar. Unë,- thashë,-jam për ndërtim. –Po, jo,-tha,-do punosh në Akademi. –Zoti ministër,-i thashë unë,-s’e bëj dot. Jo se s’e bëj dot, por ne na krijon alergji kur i shohim policët.-Po mirë,-tha,-provoje një herë. Punova unë. ’93-shi ishte, në atë kohë kur shkonte shefja e llogarisë në bankë, duhej ta shoqëronte dikush me armë. Atëherë, pranuam unë dhe nja 3-4 shokë të tjerë, Piro Meçaj, Pander Hazeli, pat hedhur bombën në oborr. Ata nuk tregonin, por i kishin hedhur bombën Enverit në oborr. Biles, disa çuna nga ata, ishin djem oficerësh. Përfundimisht…vazhduam sa vazhduam, pastaj thashë: unë s’vazhdoj më. Më mori pastaj, Gaqo Apostoli, deri sa dola në pension.
Intervista është marrë nga arkiva e familjes Doko/ kujto.al