Nga Mero Baze
Thelbi i analizës së Komisionit të Venecias është se Presidenti i Republikës ka vepruar në koordinim të plotë politik me opozitën, për të ndalur rendin kushtetues dhe për të penguar zbatimin e Kushtetutës në vend. Opinioni i “Venecias” e trajton Ilir Metën si pjesë e një plani politik të opozitës, në dispozicion të një revolucioni të dështuar.
Komisioni i Venecias ka konsideruar se çdekretimi i zgjedhjeve të 30 qershorit dhe pastaj përpjekja për t’i shtyrë ato nga Presidenti i Republikës, jo vetëm që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, por janë akte që mbështeten tek përpjekja e opozitës për të ndalur me dhunë funksionimin e shtetit dhe rendit kushtetues.
Në paragrafin 71 thuhet se:
“Bojkotimi i zgjedhjeve nga disa parti, është gjithashtu i ndryshëm nga një situatë kur palët e interesuara politike përdorin fuqitë, ose mundësitë e tyre politike posaçërisht për të parandaluar funksionimin e ligjshëm të institucioneve të tjera ose – çfarë është më keq – për të penguar funksionimin e tyre kushtetues. Nëse një përpjekje e tillë do të ishte e suksesshme, ajo do të ndërpriste të paktën përkohësisht funksionimin ligjor, ose kushtetues të Shtetit.”
Ky konstatim i heq bazën morale dhe politike presidentit, për çdekretimin e 30 qershorit, pasi ai e bazoi vendimin tek fakti që opozita kishte bojkotuar zgjedhjet.
Madje është më keq se kaq. Kjo tregon se Presidenti e ka bazuar vendimin e tij si mbështetje për një veprimtari anti-kushtetuese të opozitës, që tentonte të ndërpriste funskionimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
Komisioni i Venecias ka prekur thelbin e çështjes, që është bojkoti i zgjedhjeve dhe zanafilla e problemit. Dhe sipas saj, bojkoti i zgjedhjeve nuk është bërë në kushtet e kërkesave për barazi elektorale, por për të dhunuar procesin kushtetues të zgjedhjeve, dhe për të ndalur funksionimin e shtetit.
Presidenti i Republikës e ka bazuar vendimin e tij tek akti i opozitës, pra tek një një akt që synon të dhunojë Kushtetutën e vendit, duke u kthyer kështu nga garant të unitetit të kombëtar, në një dhunues të Kushtetutës, për interes të një pale që tenton të ndalë funksionimin e shtetit.
Kjo është përgjegjësia bazike që Presidenti i Republikës ka, lidhur me 30 qershorin. Ai ka marrë vendimin për të çdekretuar 30 qershorin, jo vetëm në mënyrë të paargumentuar nga kuadri kushtetues i vendit, por edhe më keq akoma, për të mbështetur një veprimtari anti-kushtetuese politike të opozitës.
Në fund, Komisioni konstaton se dekreti i Presidentit prek të drejtat elektorale të qytetareve shqiptarë, të cilat hyjnë tek të drejtat themelore të njeriut, dhe si i tillë, ai është më shumë se sa shkelës Kushtetute, është një dhunues i të drejtave themelore të shqiptarëve.
Opinioni e lë fatin e Ilir Metës në dorë të Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, pasi konstaton shkeljet më shumë se kushtetuese që ai ka bërë.
Ilir Meta, i cili ka qenë zotuar se do të japë dorëheqje nëse “Venecia” thotë se ka shkelur Kushtetutën, sot ndërroi mendje dhe e quajti opinionin e “Venecias” një trakt. Kjo do të thotë se ai do të vazhdojë të rezistojë në postin e tij deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, që duhet të çertifikojë opinionin e “Venecias” për të si dhunues i Kushtetutës dhe të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë.
Dhe tani mos më thoni që Ilir Meta e Sali Berisha mezi presin të përmbushim kushtet e Gjermanisë, se një nga ato është Gjykata Kushtetuese, e cila është “gijotina” e Presidentit.
Lexojeni në origjinal Opinionin e Komisionit të Venecias