Gjuha ruse në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja rrezikon të mos ketë asnjë student të regjistruar këtë vit. Mbylljen rrezikojnë edhe disa programe të tjetra, ndërsa dekani thotë se shkak është mesatarja e lartë 7.5 e vendosur nga Ministria e Arsimit.
Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja disa programe studimi rrezikojnë të mbyllen. Në raundin e parë, në gjuhën ruse nuk u regjistrua asnjë student, ndërsa gjuha greke u zgjodh vetëm nga 4 të rinj.
Artur Sula: Rrezikon shumë ose është gati zero gjuha ruse. Megjithëse studentët që vinë për gjuhë ruse bëjnë edhe gjuhë të dytë, për momentin është në nivelin zero. Ka rënie edhe te gjuha greke, turke, spanjolle.
Dekani, Artur Sula, thotë se shkak është mesatarja 7.5 e vendosur nga Ministria e Arsimit edhe pse Fakulteti i Gjuhëve të Huaja sipas tij nuk nxjerr vetëm mësues.
Artur Sula: Për fat të keq Fakulteti i Gjuhëve të Huaja është konsideruar një Fakultet që ka programe vetëm Mësuesie. Nuk është e vërtet se ne kemi degë mjaft të rëndësishme siç është komunikimi artistik kulturor, kemi përkthimin, interpretimin.
Në këto kushte, Sula shprehet se Fakulteti do të marrë masa për të ndryshuar programet e studimit.
Artur Sula: Ne do të përpiqemi ti pasqyrojmë realitetet ose brenditë e programeve tona që në vit të parë të Bachelorit që të mos lindin keqkuptimet se ne jemi një Fakultet mirëfilli Mësuesie.
Nga 700 kuota, në raundin e dytë të regjistrimeve kanë mbetur të lira afro 300 të tilla. (Ora News)/l.m