Ilir Meta priti sot Raportuesin për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian Knut Fleckenstein i cili shoqërohej prej Ambasadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri Romana Vlahutin.
Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe në veçanti të Fleckenstein për avancimin e axhendës së reformave kyçe të Shqipërisë.
Meta theksoi se duhet përfunduar sa më shpejt procesi i dekriminalizimit për t’i hapur rrugë fokusimit të plotë në reformën e sistemit të drejtësisë, procesi i cili kërkon gjithëpërfshirje dhe qëndrueshmëri.
Në të dy proceset, u shpreh Meta ne vlerësojmë kontributin dhe opinionet e Komisionit të Venecias.
Raportuesi për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian Knut Fleckenstein u shpreh se Parlamenti Evropian e vlerëson progresin e Shqipërisë dhe mbetet në pritje të Progres Raportit të Komisionit Evropian i cili pritet të ofrojë vlerësime pozitive dhe rekomandime të mëtejshme për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, ku thelbësore do të jetë reforma në drejtësi, pa të cilën nuk mund të ketë progres të vendit.
Në përfundim Meta nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë do vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Parlamentin Evropian në mbështetje të dialogut konstruktiv politik në vend dhe në nxitje të reformave kyçe që nevojiten për forcimin e shtetit ligjor dhe për mirëqeverisjen ekonomike.