Monedhat virtuale, ku më kryesorja ishte Bitcoin janë përhapur gjerësisht vitet e fundit, por ato kanë hasur në skepticizmin e bankave qendrore kudo në botë për shkak të rrezikut që është luhatja e madhe e vlerës që kanë këto valuta në treg. Duke qenë se karakteristikë e tyre është pagjurmueshmëria, Bankat qendrore besojnë edhe se përdorimi i kriptovalutave shërben për të humbur gjurmët nga aktivitetet e jashtëligjshme.
Banka e Shqipërisë, pasi Bitcoin hyri në tregun shqiptar, paralajmëroi se kuadri ligjor në fuqi dhe ai rregullator i Bankës së Shqipërisë nuk e parashikon kryerjen e një veprimtarie të tillë në Shqipëri. Banka e ka cilësuar këtë aktivitete të rrezikshëm, duke listuar disa prej më kryesoreve si paqëndrueshmëri, origjinë e panjohur e parave, mundësi për manipulim, ekspozim ndaj sulmeve kibernetike etj.
Edhe Banka Qendrore Evropiane është ndalur në këtë problem dhe ka theksuar në publikimet e saj se asnjëherë nuk duhet vënë shenja e barazisë midis parasë virtuale dhe parasë elektronike. Ndërsa kjo e fundit është aktivitet i rregulluar ligjërisht dhe i mbikëqyrur sikurse dhe ne Shqipëri, paraja virtuale është një aktivitet tërësisht jashtë syrit dhe kontrollit të autoriteteve.
Kriptovalutat janë cilësuar nga ekspertët si flluska e re financiare. Nouriel Roubini, profesor i ekonomisë në Universitetin e Nju Jorkut, tha se bitcoin ishte “nëna e të gjitha flluskave” që u favorizua nga “sharlatanët dhe mashtruesit”. Mediat e huaja i kanë krahasuar kriptovalutat edhe me piramidat shqiptare. “Megjithatë – ashtu si mania shqiptare e vitit 1996 – ky episod dëshmon dështimet e financave të bazuara në treg. Ndonjëherë lakmia vetëm prodhon marrëzinë”, shkruante Reuters në muajin janar 2017.
Çfarë janë kriptovalutat
Kriptovalutat janë një monedhë virtuale, një formë e parregulluar e parave dixhitale, e paemetuar dhe e pagarantuar nga një bankë qendrore, e cila mund të veprojë si mjet pagese. Monedhat virtuale janë krijuar në shumë forma, duke filluar si monedha brenda mjedisit të lojërave online kompjuterike dhe rrjeteve sociale, dhe duke u zhvilluar në mjete të pagesës të pranuar ‘offline’ ose në ‘jetën reale’.
Monedha virtuale mund të blihet në një platformë këmbimi duke përdorur monedhën konvencionale. Ata transferohen më pas në një llogari të personalizuar të njohur si ‘portofol dixhital’. Duke përdorur këtë portofol, konsumatorët mund t’i dërgojnë monedhat virtuale në internet tek të gjithë të tjerët, që janë të gatshëm për t’i pranuar ata, ose të bëjnë konvertimin e tyre përsëri në një monedhë konvencionale (të tilla si Euro, Paund apo Dollar). /l.m