Policia e Shtetit ka reaguar pas lajmit në mediat greke se dy gomone me drogë të nisura nga Shqipëria kanë tentuar të futen në Turqi dhe ka pasur shkëmbim zjarri mes policisë greke dhe trafikantëve.
Policia e cilëson të pavërtetë lajmin dhe thotë se nuk ka asnjë të dhënë që mjetet lundruese të jenë nisur nga Shqipëria.
“Në lidhje me një lajm të bërë publik në disa media, të cilat i janë referuar burimeve mediatike greke se dyshohet që dy gomone janë nisur nga Shqipëria dhe se Policia Greke është duke zhvilluar operacion, sqarojmë opinionin publik se:
Nga komunikimi paraprak me homologët grekë, lajmi i dhënë në media është tërësisht i pavërtetë.
Operacioni zhvillohet në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë dhe jo në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe nga komunikimi i deritanishëm dhe shkëmbimi i informacionit nuk ka asnjë të dhënë që mjetet lundruese të jenë nisur nga Shqipëria.
Policia Greke gjatë operacionit ka kapur një prej mjeteve lundruese, brenda të cilit nuk është gjetur lëndë narkotike dhe ka ndaluar dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas italian që ndodheshin në bordin e skafit.
Policia e Shtetit vijon shkëmbimin e informacionit me homologët për dy shtetasit shqiptarë dhe është në ndjekje të operacionit nga homologët grekë”, deklaron Policia. /l.m