“Hapi i Partisë Demokratike, pavarësisht nga qëndrimi politik që ata mbajtën duke mos e njohur komisionin e reformës zgjedhore, është një dritare shprese që dialogu do të vazhdoj dhe do të thellohet më tej”, deklaroi sot bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri.
Gjiknuri reagoi pas braktisjes së tryezës së organizuar nga OSBE për reformën zgjedhore nga ana e përfaqësuesve të opozitës parlamentare.
Ai tha se “është shumë e rëndësishme që paqja në këtë vend do të arrihet nëpërmjet pjesëmarrjes së gjithë aktorëve politikë”.
“Nëse ne do të përjashtojmë dikë, apo disa duan të përjashtojnë disa, me qëllim sepse ata ndodhen aty ku janë për arsye të një ngjarje historike, apo dikush ka shumicën, ne nuk i bëjmë mirë të ardhmes e stabilitetit të këtij vendi”, tha Gjiknuri.
Ai theksoi se, “që kur është votuar komisioni i reformës zgjedhore është parashikuar dhe është miratuar me konsensus të gjerë me votat në parlament që edhe PD, apo partitë opozitare që kanë bojkotuar Kuvendin, do të jenë pjesëtare të kësaj tryeze”.
“PD zgjodhi të përfaqësohet me nivel teknik dhe pikërisht dha një sinjal. Po të shikoni vendimin e komisionit të reformës zgjedhore parashikohet që opozita jashtëparlamentare të ketë një parti me të drejta të plota me frymën e konsensusit dhe me qëllimin e mirë, pasi Shqipëria është përballë vendimmarrjeve të rëndësishme përsa i përket fateve të saj”, tha Gjiknuri.
/a.r