Për Edvin Kullurin, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, e djathta shqiptare është në krizë. Ai ka reaguar për situatën ku ndodhet e djathta momentalisht duke bërë fajtor kryetarin e saj. Kulluri flet gjithashtu dhe për platformën e propozuar nga aleatët e PD, platformë e cila sipas tij nuk mund të zgjidhë krizën e Partisë Demokratike.
“Me vullnetin e mirë për ta bërë opozitën fituese të zgjedhjeve të 2021, aleatët i kanë ofruar Bashës një sërë propozimesh që do rrisnin kolegjialitetin dhe përfaqësimin si arsyeja themelore e krizës. Së pari, propozimet e ardhura nga partitë e vogla nuk mund të jenë zgjidhje për krizën e PD, pasi janë demokratët ata që duhet të vendosin të ardhmen e partisë së tyre. Problemet e thella të PD nuk janë çështje e një grupi ish zyrtarësh të PD por krizë përfaqësimi, krizë gare, meritokracie dhe mbi të gjitha krizë e një leadership-i arbitrar ku vendos për çdo gjë vetëm 1 njeri, Lulzim Basha!” – thotë Kulluri.
Reagimi i Kullurit vazhdon duke thënë se “kjo nuk është parti demokratike apo perëndimore dhe as model më i mirë për një qeverisje të nesërme që në fakt është e pamundur”.
Nevoja për të diskutuar rreth zgjedhjeve të mëparshme është imediate sipas Kullurit, zgjedhje nga të cilat sipas tij duhen nxjerrë mësime. Sipas Kullurit, zgjidhja nuk mund të vijë përmes një platforme por përmes ballafaqimit me demokratët.
“PD ka nevojë për debat urgjent ku të “kuvendohet” për të tri palë zgjedhjet e humbura të 2015, 2017 dhe 2019 më keq akoma në tavolinë! Basha dhe ekipi i tij duhet të dalin përballë demokratëve në bashkëbisedim me ata që nuk kanë qenë dakord me këto vendime që kanë çuar në humbje të njëpasnjëshme! Politika është perceptim që vjen prej besimit dhe aftësisë!” – përfundon Kulluri.
/a.r