Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në shtëpinë e tyre disa familje në njësinë administrative Nr. 7, për t’i larguar përkohësisht, në funksion të rindërtimit të çatisë së rrënuar nga lëkundjet sizmike.
Gjatë bisedës me ta, Kryeministri Rama theksoi se “tërmeti ishte i fortë, ne i kemi parë gjithmonë me frikë sidomos këto ndërtimet e reja, por faktikisht ka rezistuar goxha mirë. Kjo shtëpi duhet të riparohet, kryesisht pjesa e tavanit, se strukturalisht nuk besoj se ka problem”.
Kreu i Qeverisë u kërkoi banorëve të largohen në mënyrë që të riparohet shtëpia e tyre.
“Ju shkoni tek kavalishenca në Durrës dhe bëni një pushim të detyruar. Pjesa e tavanit është goxha e dëmtuar dhe është problem për ju dhe komshiun përballë, se të tjerët nuk kishin probleme”, – nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama theksoi se do të marrim masa të shkoni atje, ku keni të gjitha në dispozicion dhe koha është e mirë dhe bëni edhe ndonjë shëtitje buzë detit.
“Duhet bërë kjo gjë se për çdo eventualitet duhet bërë se është problem kjo pjesa lart. Më mori ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e më tha hajde se duhet t’i mbushim mendjen disa familjeve se nuk lëvizin. Në fakt shumë pak janë që e kanë këtë problem. Në një afat të shpejtë do të rregullojmë shtëpinë”, – u shpreh Rama.
Kryeministri tha se “duhet të largoheni që të merren me këtë punë, ta shikojnë në çdo aspekt, të bisedojnë me ty, nëse ka diçka që ti e dëshiron më pranë idesë tënde”.
/a.r