Tranjeri i kombëtares De Biasi De Biasi ka pohuar se ka patur oferta të tjera, madje me një sasi page mjaft të lartë, por nga ana tjetër ka konfirmuar se këto oferta i ka refuzuar dhe se do të qëndrojë në pankinën e Kuq e Zinjve deri në përfundim të kontratës së tij.
“Po, unë kam patur oferta dhe po ju them një prej tyre: ka qenë Olimpiakosi i Pireut, një ofertë që më ka ardhur shtatorin e shkuar. Unë iu përgjigja negativisht, pasi doja t’i çoja përpara këta djem deri në fund të kësaj aventure europiane. Më pas, mund të them se kam patur edhe të tjera oferta nga federata shumë më të pasura se ajo e Shqipërisë. Këtë dimër i kam treguar presidentit një mesazh me një ofertë për 1.5 milionë euro në vit, për një kontratë 2-vjeçare, pra, refuzova 3 milionë euro nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke mos e marrë fare në konsideratë ofertën”.
Në lidhje me një duelin e heshtur që tranjeri ka patur me Federatën Shqiptare të Futbollit, ky i fundit, në intervistën e tij për radion Top Albania, në emisionin “Sokol Balla Live”, ka thënë se nuk ka patur e nuk ka asnjë problem me kreun e FSHF Armando Duka.
“Nuk kam pasur kurrë asnjë problem me zotin Duka në këto thuajse 4 vite që bashkëpunojmë. Jam shumë i kënaqur, në radhë të parë për të, pasi e di se sa e ka kërkuar këtë kualifikim. Si tifozi i parë i përfaqësueses mendoj që edhe sot është i pari që gëzon. Ky është një gëzim i madh që fillon nga ai, pasi ai më zgjodhi mua dhe të gjitha strategjitë rreth kësaj lidhen me emrin e tij”, tha De Biasi.
Sa i përket diskutimit të fundit, ku një prej anëtarëve të komitetit të FSHF-së, në një nga deklaratë publike, ka theksuar faktin se De Biasi u bë i njohur prej Shqipërisë, italiani ka dhënë reagimin e tij.
“Dikush mendon se unë jam i mbivlerësuar dhe se më bëri të madh Shqipëria, ndërsa më parë kur drejtoja Torinon, çova në Serinë A Modenën, apo kur stërvisja Roberto Baxhon, isha një hiç”, thotë tekniku italian.