Nga Sokol Balla
Në Shqipëri kjo është java e jolajmit. S’ndodh asgjë. Edhe De Biasi doli thjesht përpjekje për të bërë lajm, por lajm nuk ka. De Biasi do qëndrojë deri pas Europianit. E ka të shkruar në kontratë. I vetmi lajm lidhet me riardhjen në Shqipëri, të një tjetër të huaji. Xhon Uidhers.
Ish-ambasadori amerikan vjen të marrë çmimin më të lartë të Tiranës: Çelësin e kryeqytetit. Por për më shumë ai vjen të na kujtojë se duhet ta duam më shumë Shqipërinë. Edhe pa e kuptuar përse.
Nëse flet me shqiptarë sot, këtu apo jashtë, të gjithë të flasin të frustruar për vendin e tyre. Të gjithë janë të mërzitur nga diçka, që mund të jetë një faturë e lartë dritash e deri te mënyra sesi Edi Rama e lidh kollaren. Kur flet me Xhon Uidhers për këtë, ai gjithashtu është i frustruar. Sepse ai nuk kupton as përse e do Shqipërinë kaq shumë, dhe as sepse shqiptarët nuk e duan aq sa ai e do Shqipërinë. Por ai të flet sesi me një mikun e tij që kishte një rrjet klubesh dansi folk, arriti t’i bindte që të fusnin edhe numra kërcimi shqiptar në këto klube në gjithë Amerikën. Ai tregon sesi me senatorë e kongresmenë, kërkon të flasë qoftë edhe për 10 minuta për Shqipërinë, që t’i impresionojë ata më shumë sesa bunkerët, 1997-a dhe Enver Hoxha.
Uidhers tregon me entuziasëm se anti-Holokausti shqiptar është një histori e mrekullueshme dhe një rast i shkëlqyer sesi Shqipëria të reklamohet në mediat botërore dhe lobingjet e mëdha hebreje. Uidhers mendon se Shqipëria ka një histori pozitive megjithëse thotë se Shqipërinë nuk e ka kuptuar akoma, por shqiptarët po. Në fakt me moskuptimin e tij ai ka zbuluar thelbin e këtij vendi, i cili flet një gjuhë të vjetër sa bota, por dëshmitë e shkruara të saj i ka në 500 vitet e fundit të numëruara me gishtat e njërës dorë. Sepse më shumë se dëshmitë e shkruara, gjuhën e kemi ruajtur duke folur me njëri-tjetrin.
Shqipëria jemi ne, me të mirat dhe të këqijat tona. Kjo na bën të pakuptueshëm. Sepse secili nga ne, ka në kokë Shqipërinë e tij. Por edhe të veçantë; pasi që të na zhduknin vendin, duhet të na zhduknin të gjithë ne. Xhon Uidhers, ashtu si Bajron apo Durham, nuk është i fiksuar me gjeografinë por me historinë e banorëve të Shqipërisë. Ai është shembulli modern i të huajve që e duan këtë vend me shumë se ne vetë.
Dhe në kohën e CEZ, shembullit sesi të gjithë ata që meren me politikë e duan këtë vend vetëm për ta vjedhur, ardhja e Xhon Uidhers është një rast i mirë për t’u ngushëlluar ne të tjerët, që e duam Shqipërinë krejt për arsye të tjera.