Të enjten, kryeministri Edi Rama, ka marrë pjesë në Forumin ndërkombëtar “Ekonomia blu e Mesdheut, Mundësi zhvillimi e bashkëpunimi” në panairin Fiera del Levante të Barit.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka ftuar sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri, duke theksuar: “Shqipëria është sot hapësira ku sipërmarrësit italianë mund të investojnë pa qenë të terrorizuar nga taksat e burokracia. Gjithë ato që ëndërronit të kishit kur dëgjonit të fliste miku im i dashur Berluskoni, i gjeni në Shqipëri: një vend pothuajse pa taksa.”
Ai bëri publike dhe ofertën tërheqëse për investitorët e huaj, duke theksuar se Shqipëria është një parajsë tokësore për taksat, duke thënë: “Kush investon sot në Shqipëri në turizmin me Yje , ka të garantauar për 10 vite një aktivitet pa asnjë taksë si dhe TVSH në 6%”.
Në të njëjtën kohë, kryeministri Rama i është referuar raporteve miqësore mes Italisë dhe Shqipërisë, duke u shprehur: “Pa Italinë, tha ai, Shqipëria nuk do të ishte aty ku ndodhet sot.”
Në lidhje me fokusin e Forumit, kryeministri shqiptar tha se “ekonomia e detit është një zbulim i ri për Shqipërinë, deti Adriatik është lidhja natyrale me Italinë e veçanësirsht me rajonin e Puglias e së bashku duhet të bashkëpunojmë për të zgjeruar këtë hapësirë turistike.”
Në lidhje me këtë rajon, Rama u shpreh se: “ekziston një dëshirë e madhe për të forcuar lidhjet me rajonin e Puglias pasi e shohim si një rajon i dijes. Kemi një interes të madh të krijojmë lidhje mes botës universitare, në kërkimin shkencor e në shërbimin shëndetësor.Për të gjithë investitorët italianë e në veçanti për ata puliezë, dyert janë të hapura në Shqipëri
Kryeministri Rama, gjithashtu, informoi Forumin se në Shqipëri numri i turistëve vjen vit pas viti në rritje, duke shënuar gjatë 4 vite të fundit një dyfishim deri mbi 6 milionë turistë në vit.
/a.r