Kuvendi rrëzoi dekretin e Presidentit Ilir Meta, mbi ligjin për Akademinë e Shkencave.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini gjatë seancës plenare deklaroi se komentet e Presidentit Meta mbi Akademinë e Shkencave nuk qëndrojnë.
“Kam propozuar që Akademia e Shkencave e Shqipërisë të fillojë procesin e përafrimit me akademinë e shkencave në Kosovë si dhe akademitë e tjera shqiptare në rajon, për të themeluar një akademi shqiptare duke federalizuar akademitë ekzistuese, si dhe harmonizuar përpjekjet e secilës, duke përafruar mendjet më të ndritura shqiptare, në mënyrë që të zhvillojmë dhe promovojmë identitetin tonë kombëtar, mes vlerave më të mira më të mira intelektuale përmes zhvillimit dhe promovimit të përbashkët të kërkimit shkencor, përmes përfaqësimit të shqiptarëve në formën tonë më të ndritur”, sqaroi ndër të tjera ministrja.
Shahini tha se Akademia e Shkencave duhet të nisë ndërtimin e strategjisë për zhvillimin, kodifikimin dhe përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe.
“Kam propozuar që akademia të fillojë menjëherë promovimin e grave dhe të rinjve dhe të shndërrojë institucionin nga një organizatë burrash të nderuar me thinja në kokë, në një organizatë që përfaqëson të gjithë diversitetin tonë kombëtar, intelektual dhe akademik si dhe kam propozuar që akademia e shkencave të marrë përsipër ndërtimin e strategjisë për zhvillimin, kodifikimin dhe përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe.”
“Gjuha Shqipe sot nuk trajtohet mirë. Institucionet që e kanë për detyrë ta promovojnë e zhvillojnë, janë konservatore në qasje. Ndryshe nga vendet ku gjuha evoluon, zhvillohet në hap me kohën, kodohet dhe reflektohet në fjalë në fjalor në librat gramatike, duke mundësuar zhvillimin intelektual të kombeve, përmes zhvillimit gjuhësor të tyre. Ne nuk e bëjmë mirë me gjuhën shqipe”, -përfundoi Shahini, duke shprehur bindjen se ndryshimet janë të nevojshme dhe kthimi i dekretit pas nga Presidenti Meta nuk i shërben të ardhmes së Arsimit në vendin tonë.
/a.r