Në çdo 100 emigrantë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali, 38 kanë marrë nënshtetësinë italiane.
Shqiptarët renditen në vendin e dytë për numrin më të lartë të marrjes së nënshtetësisë italiane, ndër 200 komunitete të huaja që jetojnë në Itali.
Të dhënat janë bërë publike sot gjatë një dëgjesë që ka mbajtur në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese në Dhomën e Deputetëve në Parlament, Presidenti i Institutit Kombëtar të Statistikave Carlo Blangiardo.
Sipas të dhënave të bëra me dije prej tij, deri më 31 dhjetor të 2018 në Itali jetojnë 5 milionë e 255 mijë shtetas të huaj me leje të rregullta qëndrimi.
Kjo shifër ka shënuar një rritje me 400% në krahasim me numrin e të huajve 10 vite më parë në Itali e 111 mijë më shumë se sa viti 2017.
Emigrantët shqiptarë në Itali sipas të dhënave të fundit të ISTAT janë 441 mijë e përbëjnë 8.6% të numrit të përgjithshëm.
Së bashku me marokenët, shqiptarët mbajnë rekordin për numrin më të larë të pajisjes me nënshtetësinë italiane.
Rreth 1 milionë e 340 mijë shtetas të huaj kanë marrë nënshtetësinë italiane, 12.6% e të cilëve janë emigrantë shqiptarë.
Sipas Presidentit të Institutit të Statistikave Italiane në çdo 100 emigrantë shqiptarë, 38 prej tyre kanë marrë nënshtetësinë italiane.
Para tyre renditen emigrantët nga Maroku, 13.7% e të cilëve kanë marrë nënshtetësinë italiane.
56.3% e nënshtetasve të rinj italianë janë femra e mbi 40% janë minorenë.
Kreu i ISTAT, Carlo Blangiardo, dha gjithashtu alarmin se “ndërsa popullësia rezidente reduktohet nga viti në vit, komuniteti i emigrantëve në Itali rritet.
Shqetësues është edhe niveli i ulët i lindjeve që gjatë tremujorit të parë të 2019, që ka shënuar një rënie me 2.4%”.
Presidenti i ISTAT infomoi gjithashtu se janë 3,7 milionë emigrantë nga vendet jo anëtare të Bashkimit Europian që janë pajisur me leje qëndrimi të rregullt. /l.m