Të djathtët në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë kërkuar interpelancë me kryebashkiakun Erion Veliaj për çështjen e romëve, por ai ndodhet jashtë vendit.
Kreu i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi tha se kërkesa i ka kaluar Bashkisë.
“Kërkesën tuaj ia kemi kaluar bashkisë dhe besoj se mbledhjen e ardhshme pas një jave të mundësojmë një interpelancë me kryebashkiakun”, tha Dalipi.
Ndërkohë që kreu i këshilltarëve të PD, Leonard Olli theksoi se PD është dakord, por jo më shumë se një javë pasi çështja është shumë e mprehtë dhe nuk pret.
“Duam që në çdo mbledhje jashtë rendit të ditës këshilltarët të diskutojnë problematika që i hasin në zonat ku banojnë dhe janë të zgjedhur. Sot për herë të parë nuk kishte regji qendrore, pasi kryetari nuk ishte i pranishëm.
Kërkuam informacion me debat nga Veliaj lidhur me dëbimin e romëve nga Liqeni Artificial në shkelje të gjitha të drejtave ndërkombëtare në emër të një masterplani, që e mohoi se ekziston. Duam të dimë se cfarë ka në plan Veliaj për planin vendor, të cilin e miraton një këshill bashkiak dhe jo vetëm Veliaj.
Pjesë e kësaj skenografie të turpshme sot u bë edhe Aldrin Dalipi, i cili po duket se është zgjatim i kryebashkiakut në krye të këshillit. Romët janë marrë natën me forcë dhe janë dëbuar me dhunë jashtë Tiranës” – tha Olli.